Egnatia në krizë, tani shqetëson edhe reparti që bënte namin në gjysmën e parë të kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 10:03

Egnatia në krizë, tani shqetëson edhe reparti që bënte namin në gjysmën e parë të kampionatit

Humbja 2-0 me Skënderbeun në transfertë rikonfirmon krizën e Egnatias, e cila vijon të mos fitoj në kampionat prej 7 takimesh radhazi. Skuadra rrogozhinase për fat të mirë nuk humbi vendin e parë në klasifikim, pasi Vllaznia u mposht nga Kukësi. duke i dhënë fund ecurisë prej 12 ndeshjes pa humbje. Bardhëjeshilët pësojnë kështu humbjen e dytë radhazi në transfertë ndonëse para ndeshjes me Vllazninë ishin ekipi që nuk kishin regjistruar asnjë disfatë jashtë shtëpisë së tyre.

EGNATIA

Ekipi i Edlir Tetovës ka humbur efikasitetin, duke lënë pikë të vyera në objektivin për t’i mbyllur 36 javët e këtij sezoni kalendarik në vendin e parë. Pushimi prej 2 javësh në këtë moment delikat, duket se është asist i mirë për Egnatian, e cila do të ketë kohën e mjaftueshme për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar, por sigurisht edhe për të afirmuar lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit. Kjo ndalesë e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve pritet t’i shërbej kryesueseve të Superiores për të analizuar defektet e kësaj sidomos në repartin e mbrojtjes.

Viti 2024 ka rezultuar me rezultate jo të kënaqshme për rrogozhinasit të cilët në 10 ndeshje kanë hipotekuar 3 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje. Me 14 pikë të grumbulluar faza e tretë rezultoi më e dobëta edhe pse klubi 90 vjeçar në futbollin shqiptar e nisi me 3 fitore radhazi vitin 2024 duke mundur Skënderbeun, Kukësin dhe Erzenin. Pesë barazimet dhe humbja me Vllazninë ka bërë që Egnatia të diskutojë edhe kreun e klasifikimit duke e parë veten vetëm 2 pikë larg nga Vllaznia e vendit të dytë. Përtej atmosferës së javëve të fundit teorikisht në letër java e 29-të e Superiores i rezervon një kundërshtarë si Kukësi ku do të synohen 3 pikët. Një fitore me verilindorët do të garantonte ruajtjen e vendit të parë por edhe një frymëmarrje për ekipin për pjesën e mbetur të sezonit.

Në këto kushte trajneri Edlir Tetova do të mundohet të motivojë të tijtë për të mos rrezikuar objektivat e fillim sezonit. Tekniku durrsak do t’i duhet të punojë si në aspektin ofensiv ashtu edhe në atë difensiv për të dal nga kjo krizë rezultatesh që ka mbërthyer ekipin e tij. Jurgens Montenegro edhe pse ka luajtur rregullisht nuk shënon prej 28 janarit në kampionat, duke humbur kështu kontaktin me golin. Sulmuesi nga Kosta Rika ia doli të shënojë dopietë në kupë kundër Laçit, por këtë moment të mirë nuk po e shpalos edhe në ndeshjet e kampionatit. Duke filluar me Kukësin alternativë në sulm do të jetë edhe Mario Gjata, i cili arriti të ambientohet mirë me skuadrën rrogozhinase, por u dëmtua në fillim të muajit shkurt duke humbur shansin të jetë protagonist me ngjyrat bardhëjeshile.

Për Egnatian kanë mbetur edhe 8 takime për të kolauduar shanset për titullin kampion. Pengesa e dytë në këtë fazë të katërt është Kukësi, i cili ka ringjallur shpresat për të mbijetuar edhe pse vijon të pozicionohet në vendin e fundit. Në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, rrogozhinasit do t’i bëjnë llogaritë me Vllazninë një finale e parakohshme kjo për të mbrojtur trofeun që është kampion në fuqi. Në këtë fazë të kampionatit çdo ndeshje për çdo ekip është si një finale ndaj rruga bëhet tejet e vështirë në misionin për të arritur objektivat.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"