Egnatia del në fushë më 5 gusht, por ende s’ka… trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2019 | 21:29

Egnatia del në fushë më 5 gusht, por ende s’ka… trajner

Klubi rrogozhinas ka bërë me dije se më 5 gusht ekipi do të grumbullohet për të filluar më në fund përgatitjet e sezonit të ardhshëm.

egnatia

Veç titullarëve që kanë mbetur nga sezoni që shkoi, tek Egnatia pritet të vijnë fillimisht në stërvitje edhe shumë lojtarë të rinj për t’u provuar nga stafi teknik. Drejtuesit e klubit kanë pohuar se janë në bisedime me disa lojtarë me përvojë dhe shpresojnë t’i bindin ata që të firmosin me Egnatian për kampionatin e ri.

Qëllimi është për të ndërtuar një skuadër me kualitet, që ta përballojë me sukses të plotë kampionatin, duke u renditur të paktën në mesin e renditjes. Në Rrogozhinë pritet të vijnë shumë të rinj nga qytet fqinje, siç ka ndodhur gjithmonë në këtë periudhë përgatitjesh. Në fakt, skuadra ka nevojë për përforcime, sepse titullarë të ndryshëm e kanë shpallur “divorcin” prej kohësh dhe janë sistemuar në klube të tjera.

Por, mbi të gjitha duhet të zgjidhet çështja e trajnerit që do të ulet në stolin e Egnatias për sezonin e ri, sepse drejtuesi teknik është ai që vendos edhe për çështjet e tjera, duke nisur nga grupi i futbollistëve. Burime të gazetës pranë klubit rrogozhinas bëjnë me dije se kavajasi Ilir Duro, i cili mbylli sezonin e fundit, ka rënë për momentin si kandidat.

Drejtuesit e skuadrës nuk kanë dashur të përmendin emra kandidatësh për momentin, por mësohet se ka shumë mundësi që edhe trajneri i ri të jetë po nga Kavaja. Gjithsesi, duhet pritur vendimi i drejtuesve të rinj për këtë çështje mjaft të rëndësishme. Fusha e stadiumit të Rrogozhinës ndërkohë është gati për të pritur skuadrën ditën e hënë, ku ajo do të nisë përgatitjet e sezonit të ri.

Aldo Buzi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"