Edmond Lutaj: Te Flamurtari ka vetëm fjalë, në klub shumë zhurmë për asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2015 | 12:54

Edmond Lutaj: Te Flamurtari ka vetëm fjalë, në klub shumë zhurmë për asgjë

lutaj-ben-me-dore1

Edmond Lutaj, ishtrajneri i Flamur tarit, edhe pse ndodhet në Suedi, i ndjek me vëmendje zhvillimet te kuqezinjtë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka theksuar se në Vlorë përsëriten gjithmonë të njëjtat gabime, duke bërë që ekipi të dështojë dhe të dalë nga objektivat.

Sipas Lutajt, për të ndryshuar kjo situatë, duhet largpamësi në projekt dhe një staf profesionistësh. Ai mbështet idenë e akademisë, ndërsa thekson se të rinjtë kanë nevojë për përkrahjen e klubit.

Si po i shikoni zhvillimet te Flamurtari?

Unë e kam parë Flamurtarin në distancë, duke mos qenë prezent në aktualitetin dhe rrjedhshmërinë e ngjarjeve në këtë pjesë të luajtur të kampionatit. Megjithatë, unë mund të flas për principe që janë të rëndësishme për ecurinë e një ekipi elitar. Problemet për ecurinë jo të mirë të Flamurtarit gjatë këtij sezoni mendoj se janë këto: Flamurtari flet për projekt afatgjatë, por faktet tregojnë ndryshe. Shumë lojtarë afrohen dhe largohen pa mbaruar sezoni futbollistik. Pra, nuk ekziston një vazhdimësi, që është një nga gjërat kryesore të suksesit.

Në fillim të sezonit janë afruar disa lojtarë. Si e vlerësoni këtë fakt?

Afrimet e lojtarëve në fillim të sezonit ishin jo të mirëstudiuara. Kjo tregon edhe faktin që shumë nga futbollistët e ardhur me shumë bujë tashmë janë larguar, duke mos qenë më pjesë e Flamurtarit. Kjo është mungesë profesionalizmi. Problemet e brendshme që një ekip has gjatë sezonit futbollistik, ekipet e suksesshme i zgjidhin brenda grupit dhe jo me kërcënime dhe në prani të medias.

Sipas jush, kush mund ta ketë përgjegjësinë për një gjë të tillë?

Normalisht që përgjegjësia bie mbi ata që drejtojnë klubin e Flamurtarit. Megjithatë, drejtuesve të rinj të klubit u duhet dhënë kohë për të realizuar projektin e tyre, ashtu siç edhe e kanë shprehur se do të ndërtojnë një ekip elitar në të gjitha drejtimet. Por kam vënë re deri tani te Flamurtari se disa fenomene në drejtimin e ekipit të kujtojnë të shkuarën jo të largët, domethënë fjalë shumë dhe bereqet shumë pak, për të mos thënë fare. Diçka tjetër që më ka rënë në sy te drejtuesit e rinj është mungesa e përvojës për të drejtuar një ekip me profilin e Flamurtarit. Kur hedh shumë lekë dhe nuk përfiton asgjë, atëherë duhet t’i bësh pyetjen vetes, a jam unë i zoti për ta çuar Flamurtarin përpara?

Çfarë duhet bërë për sezonin e ardhshëm?

Duhet të ketë një largpam- ësi në projekt, si dhe t’i krijosh ekipit qetësinë në momente të vështira. Duhen lojtarë cilësorë, si dhe krijimi i një stafi të mirë profesionist, ku njerëzit të mbështesin njëri-tjetrin dhe të punojnë për të mirën e klubit.

Çdo të thotë se Flamurtari tashmë ka dalë nga objektivat?

Një hap mbrapa. Duhet ta fillojnë çdo gjë nga e para dhe duhet të rikuperojnë distancën që kanë sot me konkurrentet, që janë disa hapa para Flamurtarit.

Klubi ka shpallur si strategji për vitin e ardhshëm lojtarët e akademisë dhe afrimin tek ekipi i parë. Si e vlerësoni një gjë të tillë?

Idenë e akademisë e mbështes fort. Qytetit të Vlorës nuk i kanë munguar kurrë talentet. Djemtë vlonjatë e kanë me shumë pasion futbollin. Mirëpo, ata kanë nevojë për mbështetjen e klubit. Lojtarët, të cilët vijnë nga akademia e Flamurtarit, duhet t’u jepet përparësi.

Lutaj, me çfarë detyre po merreni aktualisht?

Unë jam në vitin e fundit të kontratës sime 3-vjeçare si drejtor teknik i Akademisë Assyriskës. Ekipi i parë i Assyriskës që militon në Kategori të Dytë në Suedi. Ne kemi në ekip të parë 50% të lojtarëve që vijnë nga akademia jonë.

Intervistoi: Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"