“Edhe Milani po vuan”, ish-trajneri Memushi: Flamurtari të mos përfundojë si vjet… kur favorizuan Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2023 | 23:26

“Edhe Milani po vuan”, ish-trajneri Memushi: Flamurtari të mos përfundojë si vjet… kur favorizuan Dinamon

Eqerem Memushi mendon se dy pikë janë shumë pak për Flamurtarin. E quan vendimtare ndeshjen me Vorën, pasi një tjetër gabim do të ishte i tepërt. Duke analizuar situatën e deritanishme të kuqezinjve, evidenton problemet me finalizimin.

eqerem memushi

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-trajneri tregon arsyen pse po e viziton shpesh skuadrën në stërvitje.

Vetëm dy pikë në tri ndeshje, si ju duket kjo ecuri?

Për pretendimet madhore që ka Flamurtari, dy pikë janë shumë pak. Ka një shprehje populli që thotë: “Fillimi i mbarë, gjysma e punës”. Megjithatë, jam optimist. Janë vetëm ndeshjet e para. Edhe vjet kështu e nisi dhe në fund arriti të gjejë veten dhe stabilitetin. Gaboi edhe në fundin e kampionatit… Në fakt, jo se gaboi, por Dinamo doli pa meritë në Superiore.

Ju po thoni se Flamurtari duhet të ishte në Superiore?

Patjetër që po. Ishte skuadra më e mirë. Por ashtu shkuan ngjarjet vjet. Favorizuan Dinamon.

Çfarë mendoni se nuk po shkon te Flamurtari në nisjen e këtij sezoni?

Është një skuadër e re dhe do kohën e vet që të kolaudohet. Pastaj, kanë probleme në fazën e finalizimit të aksioneve. Flamurtarit i mungon lojtari që do t’i çojë përpara. Megjithatë, brenda kanë kualitete dhe madje të mëdha. Një pjesë e mirë e tyre kanë luajtur në Superiore. Megjithatë, le t’ia lëmë kohës gjithçka. Në fund është presidenti që i merr vendimet.

Ne i shikojmë gjërat nga jashtë si specialistë dhe si njerëz që Flamurtarin e kemi pjesën e zemrës sonë. Serioziteti nuk mungon, klubi është i rregullt me pagesat, të jenë të bashkuar dhe them se do të arrijnë të dalin nga kjo situatë me dëshirë dhe me përkushtim. Është e vështirë që të ndërtosh një grup nga e para, do kohën e vetë, ndaj duhet pak durim. Nuk e kam ndjekur skuadrën në ndeshjen jashtë me Luzin, por kam qenë në Vlorë, pasi aty është shpirti dhe zemra jonë. E kam ndjekur edhe në miqësore.

Çfarë duhet të ndryshojnë?

Duhet të kenë pak më shumë karakter dhe të prezantojnë grintë në fushë. Sportdashësit duhet që të kuptojnë se ku do të shkojë kjo skuadër. Të jenë më të qartë.

Idrizi rikonfirmoi Emiljano Çelën në krye të klubit. Zgjedhje e duhur?

Ka bërë shumë mirë. Ai është djalë që punon dhe serioz. Gjërat nuk mund të priten me thikë. Edhe skuadra të mëdha si Milani, sot vuajnë dhe pretendojnë të gjithë.

Këtë javë luajnë me Vorën, një ekip që ka gjithashtu pretendime. Si e shikoni ndeshjen me Vorën?

Shumë të fortë. Ata vijnë me 6 pikë dhe ne kemi vetëm dy pikë në klasifikim. Do të jetë një ndeshje vendimtare për kthesën.

Me këtë ecuri jo të mirë, mund të “luhatet” paksa objektivi?

Nga ndeshja në ndeshje, gur-gur bëhet kalaja. Sa më shumë largohesh pastaj, ndryshon objektivi. Futbolli është i tillë që nuk ta lejon të gabosh herën e tretë. Pastaj duhet të rishikosh objektivin, të mendosh për gjë tjetër.

Keni shkuar dhe keni ndjekur skuadrën në stërvitje, pse?

Kam shkuar me dëshirë, pasi Çelën e kam pasur ish-futbollist dhe e kam stërvitur dy herë. Ishte një nga lojtarët më të mirë që kam pasur. M’u bë qejfi që u emërua trajner i Flamurtarit. Është djalë i mirë. E ka treguar veten te Kastrioti si trajner kur e mbajti në Superiore dhe e ringjalli, por edhe tani në fund të sezonit atje nuk bëri keq. Besoj se do të bëjë më të mirën edhe këtu në Vlorë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"