Edhe Flamurtari pret KAS-in, vlonjatët me sytë nga… Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2018 | 10:43

Edhe Flamurtari pret KAS-in, vlonjatët me sytë nga… Skënderbeu

Vendimi i KAS-it të Lozanës për Skënderbeun duket se mban “peng” edhe Flamurtarin. Edhe pse palët nuk duan të zbulojnë asgjë ose më saktë të fshehin atë që kanë diskutuar, zëra për Ilir Dajën trajner të Flamurtarit po shtohen gjithnjë e më tepër. Burime pranë klubit kuqezi treguan dje për “Panorama Sport” se është rënë dakord në parim me trajnerin Daja, por ky i fundit ka kërkuar kohë, sepse mbetet i varur nga vendimi që do të marrë KAS.

bushic-imami

Nëse Gjykata e Arbitrazhit Sportiv nuk pranon kërkesën e Skënderbeut për të marrë pjesë gjatë këtij edicioni në Ligën e Kampioneve, atëherë i hapet rruga emërimit të Dajës në krye të vlonjatëve. Në të kundërt, pra nëse KAS i jep të drejtë klubit korçar, trajneri që fitoi titullin dhe Kupën e Shqipërisë në sezonin e fundit do të zyrtarizojë rinovimin e marrëveshjes me Skënderbeun. Daja preferon që ta mbyllë me kokën lart me korçarët dhe të mos e braktis ekipin në këtë moment delikat. Kësisoj, kjo situatë po mban peng jo vetëm të ardhmen e pankinës vlonjate, por edhe merkaton te Flamurtari. Do të jetë trajneri i ri ai që do të vazhdojë më tej punën për afrimin e lojtarëve të rinj.

flamurtari

Për momentin, punën e trajnerit në miniaturë po e bën Ardi Behari, i cili pas miratimit të administratorit Sinan Idrizi, ka nisur kontaktet me lojtarët që mbyllën sezonin. Tre të parët që rinovuan marrëveshjen ishin Emiljano Musta, Muhamed Useini dhe Tomislav Bushiç. Ky i fundit, ndër të tjera për “Panorama Sport” u shpreh “Kam pasur disa oferta, por në momentin që më telefonoi Ardi Behari arritëm akordin për një minutë”. Ndërkohë, pavarësisht moshës së madhe, gjasat janë që të ketë rinovim edhe me Artim Pollozhanin. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit kanë vendosur tashmë të mbajnë edhe disa lojtarë të rinj, duke filluar nga portierët Qirko e Sali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"