E PLOTË/ Zbulohen prapaskenat, ja si “u lirua” Nimaga nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 22:07

E PLOTË/ Zbulohen prapaskenat, ja si “u lirua” Nimaga nga Skënderbeu

Skënderbeu e mbyll përfundimisht his torinë me Bakari Nimagën dhe lojtari është prej dy javësh zyrtarisht pjesë e klubit të Ligës së Parë turke, Hatayspor. Pas pesë viteve në Korçë, mesfushori malien u largua duke lënë të shtangur klubin, që nuk mori asnjë përfitim nga transferimi në Turqi. Dëmtimet e shumta të lojtarit, por edhe mënyra se si u bë ndarja mes palëve kushtëzoi largimin pa shtrëngim duarsh mes Nimagës dhe Skënderbeut. Gjithçka filloi në kohën ku në adresë të lojtarit u interesua klubi turk.

Lilaj dhe Nimaga

“Panorama Sport” mëson se Skënderbeu kërkonte që të fitonte të paktën 400 mijë euro nga shitja e lojtarit, por ishte “dredhia” e Nimagës ajo që i dha një fund tjetër kësaj historie. Lojtari, duke pasur pretekstin e dëmtimit të pësuar para ndeshjes me Laçin në Superkupë, u largua për të mbyllur marrëveshjen me turqit pa dijeninë e Skënderbeut. Klubi korçar ishte gati ta çonte në FIFA lojtarin, por kjo nuk ndodhi. Burime pranë Nimagës bëjnë me dije se kanë qenë pikërisht rrogat e papaguara nga Skënderbeu për disa muaj, ato që u bën shkas në këtë ndarje pa dëmshpërblim.

Klubi kërkoi që Nimaga të rikthehej sërish, por lojtari kërcënoi në njëfarë mënyre se nëse nuk lihej i lirë të largohej, do të kërkonte prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme për mosrespektim të afateve mes palëve dhe përmbushje të detyrimeve. I ndihmuar nga menaxheri i tij, Nimaga do t’i drejtohej Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, e më pas nëse do ishte e arsyeshme, edhe FIFA-s. Duke mos dashur të shtojë më shumë numrin e gjyqeve, Skënderbeu ka pranuar të lërë të lirë lojtarin, pasi në këtë mënyrë edhe pa Nimagën përfiton diçka, duke ditur pagën progresive që lojtari kishte në Korçë.

RASTI I LILAJT

Skënderbeu la të lirë Nimagën edhe për faktin se ka një çështje për të zgjidhur me Sabjen Lilajn. Ka qenë vetë lojtari, i cili para disa javësh, ka dhënë një deklaratë bombastike, ku kërkonte nga Skënderbeu që t’i jepte rrogat e prapambetura pas largimit te Gabala. Për këtë çështje, lojtari çoi bardhekuqtë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Lilaj pretendon 124 mijë euro, ndërsa klubi nga ana e tij ka tjetër version për borxhin. Gjithçka mbetet për t’u parë se si do të shkojë kjo çështje.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"