E PLOTË/ “Trajnerë që fitojnë titullin e bien nga kategoria”, Josa i përgjigjet Kolës: Gjej ekip dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 22:53

E PLOTË/ “Trajnerë që fitojnë titullin e bien nga kategoria”, Josa i përgjigjet Kolës: Gjej ekip dhe…

Mirel Josa nuk ësh të njeri i polemi kave, por as nuk fshihet kur dikush i përmend karrierën apo aftësitë. As kur këtë ia bën një emër i shquar i Tiranës, si Agustin Kola. “Trajnerët tanë fitojnë titullin me Skënderbeun dhe me Kukësin dhe pastaj zbresin Tiranën dhe Vllazninë nga kategoria. Këta trajnerë kemi ne…”, pati thënë Kola një ditë më parë për “Panorama Sport”.

Nuk i ka tingëlluar aspak mirë Josës kjo deklaratë. Ish-trajneri i bardhebluve i kthen përgjigje Kolës dhe i kujton se dikur e ka marrë si ndihmës te Tirana. Josa, me finesë, i vë në dukje Kolës që prej kohësh nuk drejton një ekip elitar. “Duhet të marrë drejtimin e ndonjë ekipi dhe të tregojë me punë se çfarë di të bëjë”, tha ndër të tjera Josa në intervistën për “Panorama Sport”.

Mirel Josa

Josa, si po ju ecin punët në Kosovë?

Shumë mirë. Deri tani kemi punuar me intensitet. Shpresojmë për një sezon sa më të mirë.

Ka shumë trajnerë nga Shqipëria sot që punojnë në kampionatin kosovar. Megjithatë, Agustin Kola thotë se trajnerët shqiptarë dalin kampionë me Skënderbeun dhe pastaj zbresin Tiranën nga kategoria…

(mendohet një moment…). Kola ka mendimin e tij. Ashtu e mendon, ashtu e thotë. Nuk kam ndonjë qëllim që t’i ndryshoj mendimin as atij dhe askujt tjetër. Gjithë jetën kam parë punën time dhe jam vlerësuar apo kritikuar në bazë të punës sime. Kështu duhet të ndodhë me të gjithë.

Kjo është përgjigjja juaj për Kolën?

Ai (Agustini) duhet të gjejë ndonjë ekip dhe të trajnojë. Kur të trajnojë ndonjë skuadër, të tjerët do ta gjykojnë dhe do ta vlerësojnë, ashtu si edhe mua apo të gjitha ata që punojnë.

A keni pasur ndonjë përplasje me Agustinin?

Jo, asnjëherë. Unë Agustinin e kam marrë si ndihmësin tim kur drejtoja Tiranën vite më parë.

Si ishte të punoje me të?

Mora vendimin që të punoja me të dhe ta kisha ndihmës. Ky ishte vlerësimi im. Kaq. Ai ka mendim tjetër, punë për të.

Tani që ju vë në dukje se Tirana ra nga Kategoria për herë të parë nën drejtimin tuaj, a jeni bërë pishman që e morët ndihmës Kolën?

Është e vërtetë që Tirana ra nga kategoria, por shkaqet i dimë të gjithë. Natyrisht, kam marrë përgjegjësitë e mia, por aty kishte edhe të tjera gjëra që ajo skuadër ra nga kategoria. Së dyti, është e kotë të them tani sesi ishte Kola si ndihmës, a e bënte mirë apo keq punën. Unë asokohe mora vendimin më të mirë që mendova.

Ju thoni që Tirana ra nga kategoria “për motive që i dinë të gjithë”… Personalisht, nuk di motive të tjera veç atyre sportive. A mund të na thoni se cilat janë motivet e tjera? I dini të gjithë arsyet…

Nuk është nevoja t’i rikthehem asaj teme në këtë moment.

A keni një mesazh për Kolën?

Asnjë mesazh. Ne na njohin të gjithë. E dinë njerëzit punën që bëjmë, çfarë karakteri kemi dhe sesi e kemi bërë rrugën tonë gjithë këto vite.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"