Rrëfimi unik i sulmuesit Ngoo: Lashë shkollën për Liverpulin, ja si u njoha me Stërling

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 22:53

Rrëfimi unik i sulmuesit Ngoo: Lashë shkollën për Liverpulin, ja si u njoha me Stërling

Karriera e tij ka marrë një rrjedhë të çuditshme. Pasi ka veshur fanellat e klubeve më të mëdha londin eze, ka ardhur te Tirana. Por për Majkëll Ngoonë, ky është shansi i madh për t’u ringjallur. Edhe pse shumicës i përngjan me një lojtar të NBA-së, basketbolli nuk ka kurrfarë lidhje me jetën e gjigantit të bardhebluve.

Ngo

Në një rrëfim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për gjithçka, duke filluar nga pasionet e tij, shoqëria me Sterling dhe tifozët. Nuk e ka ende të qartë se çfarë po ndodh mes klubit dhe “Fanatics”, por zbulon se një pjesë e lojtarëve pas çdo goli dhe fitoreje kanë dëshirë që të festojnë në këndin e ultrasve.

Majkëll, si e ke nisur futbollin?

Futbollin e kam nisur në Londër, tek Uest Hem, kur isha vetëm 11 vjeç. Dy vite më pas kalova te Sauthend Junajtid. Aty luajta një sezon dhe, më pas, kalova te Mançester Junajtid, klub që, pasi më kishte studiuar, kërkoi të bëhesha pjesë e akademisë së tij. Pas lejes që Mançesteri mori te Sauthendi shkova dhe luajta për rreth dy muaj. Gjatë kohës që ata po negocionin me mua për kontratën, papritur vjen edhe një ofertë nga Liverpuli, që nisi bisedimet paralelisht me prindërit e mi. Pasi i analizova të dyja ofertat, opsioni më i mirë rezultoi Liverpuli. Aty qëndrova rreth 5 vite, deri në 2014-ën.

Ngoo Tirana Kategoria e Pare

Paralelisht ke ndjekur edhe shkollën apo…?

Shkollën e kam lënë në moshën 16-vjeçare. Kur iu bashkova Liverpulit, iu përkushtova vetëm futbollit. Liverpuli më ofroi kontratë si profesionist, kështu që shkolla ime e vërtetë ishte aty në klub.

Cilat ishin arsyet që u largove nga Liverpuli?

Nga Liverpuli u largova në 2014-ën, ku pa dyshim një nga arsyet më të mëdha ishte fakti se nuk gjeta hapësirë për të luajtur. Gjithashtu kam qenë i pafat edhe me huazimet, ku kam provuar disa klube në Championship dhe Ligën 1. M’u ofrua edhe rinovimi i kontratës, por nuk vazhdova. Nën porosinë e Liverpulit më shumë isha i huazuar, ndaj vendosa kështu.

Edhe Kristian Adorjan ka qenë te Liverpuli, e njeh?

Sigurisht që e njoh, pasi kemi luajtur së bashku te Liverpuli.

Luani në liga të ndryshme në Shqipëri dhe me dy skuadra që janë rivale “të përbetuara”. A ka ndonjë derbi mes Ngoosë dhe Adorjanit?

Nuk kam asnjë derbi me Adorjanin, ndonëse njihemi prej kohësh. Rrugët tona janë ndarë prej kohësh dhe në Shqipëri kemi ardhur nga klube të ndryshme. Në sezonin e shkuar kam luajtur në Ligën 1 në Angli me Oldham. Por, para se të kaloja tek Oldham, nuk kam luajtur futboll për dy vite.

Adorjann

Dëmtimi ishte shkaku i kësaj shkëputjeje të gjatë?

Pata një dëmtim të rëndë në gju, kështu që në 2015-ën dhe në 2016-ën nuk kam luajtur futboll, por i jam nënshtruar rikuperimit. Ishte shumë i rëndë si dëmtim. Gjithsesi, jam me fat, pasi tani ndihem mirë dhe në 2017-ën nisa sërish të luaj futboll.

Kemi vënë re afrimitetin tënd me Sterlig në rrjetet sociale…

Sterling është një nga miqtë e mi më të mirë. Por kam edhe shumë miq të tjerë të mirë, që gjithashtu janë futbollistë të njohur. Sterling është “yll” te Mançester Siti, ndërsa ti po luan në Shqipëri.

Hysaj dhe Sterling

Pse mori këtë rrjedhë karriera tënde?

Me Sterlig jam njohur te Liverpuli, ku kemi luajtur së bashku edhe me ekipin e dytë. Pjesë e atij grupi kanë qenë edhe shumë lojtarë të tjerë që kanë shkëlqyer në klube të ndryshme në Angli dhe në Europë. Kemi qenë së bashku, por më pas karriera e të gjithëve mori drejtime të ndryshme, kjo për arsye e faktorë të ndryshëm. Në këtë grup bën pjesë edhe Adorjan, që tani është pjesë e Partizanit.

A e di Sterling që ti tani luan në Shqipëri dhe, nëse po, çfarë të ka thënë për këtë eksperiencë?

Sigurisht që po, pasi kam kontakte të vazhdueshme me të në rrjetet sociale. Ai mbetet një mik shumë i mirë për mua dhe më ka mbështetur edhe në këtë zgjedhje që kam bërë.

Je një ndër lojtarët më shtatlartë në Shqipëri, mund të na thuash sa i gjatë je konkretisht?

Jam 195 cm i gjatë.

Gjatësia tënde i shkon më shumë për shtat basketbollit, ke tentuar ndonjëherë që t’i përkushtohesh këtij sporti?

Jo, kurrë nuk e kam menduar. Nuk jam i mirë në basketboll. Shijet e mia dhe cilësitë i kam vetëm në futboll.

Mund të na tregosh se si erdhe në Shqipëri dhe përse zgjodhe Tiranën?

Menaxheri im është mik me drejtorin sportiv. Ai më foli për situatën e Tiranës, e cila kishte zbritur në Kategorinë e Parë. Kështu menaxheri im, i cili më shumë është një mik se sa një menaxher për mua, më tha nëse dëshiroja që të ndihmoja këtë ekip. Dhe nuk hezitova.

Nuk e kisha aspak problem, pasi në atë koha po luaja në ligën e parë angleze. Pastaj më pëlqeu si eksperiencë dhe më joshi fakti që, një vit më herët, një lojtar, pas një sezoni u transferua te Getafe në Spanjë (i referohet Merveilit). Kështu që i thashë vetes: “Tani është koha që të tregosh veten”.

ngoo

Pra Tiranën e shikon si një trampolinë dhe shans për t’u kthyer në nivelet e larta?

Sigurisht që ky është qëllimi im në aspektin personal. Erdha të provoj një eksperiencë të re, ndonëse nuk dija shumë për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar.

Po tani që ke 4 muaj që luan me Tiranën, cilat janë përshtypjet tënde për futbollin shqiptar?

Kam parë disa ndeshje të Superiores dhe kam vërë re se aty ka shumë lojtarë të mirë. Ndërsa në Kategorinë e Parë, ku luaj edhe unë, them se elementët e spikatur janë më të pakët se në Superiore. Mund t’i konsideroj si futbollistë normalë.

Mendon se Tirana nuk ka lidhje me kategorinë ku luan, pasi në përbërje ka lojtarë cilësorë që kanë bërë karrierë dhe kanë fituar trofe në Superiore?

Ky është një konstatim i vërtetë. Dhe kur luan me skuadrat e Superiores, ke mundësi më të mëdha për të luajtur dhe për të treguar veten. Kjo gjë u pa edhe ndaj Vllaznisë, kur kishim përballë një skuadër me skema taktike dhe filozofi të mirëfilltë futbolli. Pra, në ndeshje të tilla, je i detyruar të lëvizësh më shumë dhe të shprehesh më qartë. Dhe me Vllazninë e bëmë këtë.

Ke parë ndonjë ndeshje të Superiores në stadium?

Në stadium jo, por në TV kam ndjekur disa. Para disa ditësh pashë Skënderbeu-Kukësi. Skënderbeu fitoi 2-1, por mendoi se Kukësi shpërdoroi disa mundësi të mira. Personalisht nuk i shikoj “të frikshme” këto dy ekipe. Mendoj se Tirana është e gatshme t’i përballojë me sukses të gjitha skuadrat e Superiores.

Çfarë ndjesie të ka krijuar Tirana si qytet, apo edhe Shqipëria si vend?

Shqipëria është një vend shumë i bukur. Tirana është pastaj një qytetet i këndshëm, që po e shijoj në maksimum.

Ngoo

Jeton me familjen këtu?

Jo, vetëm.

Domethënë nuk paske pengesa që ta shijosh edhe stilin e jetës…?

(Qesh) Për mua është një eksperiencë shumë e mirë. Tirana ka vende të mrekullueshme ku mund të pish kafe, apo të drekosh.

Cili është ushqimi dhe pija e preferuar e Ngoosë?

Nuk pi alkool, por mund të them se ushqimi po më pëlqen.

Ke ndonjë ushqim që të ka mbetur në mendje, flas për gatime tradicionale?

Realisht mua më shijon shumë ushqimi këtu, por mos më pyesni për emrat, se nuk i mbaj mend.

Për shembull, e ke provuar byrekun?

Të thashë se nuk mund të flas me emra ushqimesh, kështu që edhe kjo fjalë nuk më kujton gjë.

Të kthehemi sërish te futbolli i Kategorisë së Parë. Kush është gjëja më e çuditshme që të ka rënë në sy gjatë transfertave të këtij sezoni?

Jo, nuk më ka rënë në sy ndonjë gjë e çuditshme. Ne, kur shkojmë të luajmë jashtë Tiranës, nuk fokusohemi te gjërat dytësore, por vetëm te puna jonë. E dimë se Tirana është një emër i madh në futbollin shqiptar dhe vendin nuk e ka në këtë ligë, por në Superiore. Detyra jonë, kur shkojmë në transfertë, është që të luajmë, pra të marrim rezultatin dhe të kthehemi me pikët maksimale në shtëpi.

Po në Shënkoll nuk të bëri përshtypje fusha, e cila ka parametrat më të vogla se stadiumet e tjera?

Sigurisht që nuk ishte një fushë e mirë, por në futboll nuk ka justifikime. Terreni është i njëjtë për të dy ekipet. Ne mirëkuptuam situatën, pasi bëhej fjalë për një klub jo të madh si Tirana dhe ata ishin kushtet e tyre. Ky është futbolli.

ngoo

Ke mësuar ndonjë fjalë shqip?

Po, kam mësuar disa fjalë në shqip, të cilat i përdor edhe në komunikimin e përditshëm.

Na thuaj ndonjë…

“Ça bone?”, “A je mirë?”.

Po sharjet i ke mësuar?

(Qesh) Di shumë nga ato, por nuk mund t’i përmend në intervistë se nuk janë etike.

Të ndalojnë njerëzit kur të shikojnë në rrugë, a ndihesh “VIP”?

Edhe ka ndodhur. Kryesisht fëmijët më kanë kërkuar të bëj ndonjë fotografi me ta.

Cili është miku yt më i mirë te Tirana?

Të gjithë lojtarët janë miq të mirë për mua, pasi me të gjithë kam marrëdhënie të shkëlqyera. Nuk mund të bëjë dot dallime.

sterling ngoo

Si i ke marrëdhëniet me trajnerin Ze Maria dhe cilat janë përshtypjet e tua për atë?

Ze Maria është një trajner shumë i mirë. Është profesionist mbi të gjitha, pasi e kupton dhe lexon shumë mirë lojën. Ai di shumë rreth futbollit edhe për faktin se si lojtar ka luajtur në nivele të larta. Ze Maria mundohet që të na ndihmojë edhe ne që të jemi të suksesshëm. Personalisht kam marrëdhënie shumë të mira.

Klubi do ngjitjen në Superiore, a do ia dalësh?

Jam totalisht i sigurt që vitin tjetër Tirana do të kthehet aty ku e ka vendin, në Superiore.

Dimë që ke kontratë sezonale me Tiranën, por me mundësi rinovimi. Pas këtij sezoni, do qëndrosh sërish bardheblu?

Të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me presidentin dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë në klub. Kështu që, mundësitë janë të mëdha për të vijuar edhe në sezonin tjetër. Gjithsesi, për të ardhmen ka kohë që të mendoj, por nëse gjendet akordi do të dëshiroja të vijoja me Tiranën edhe në Superiore.

tirana ngoo karabeci

Çfarë përshtypje ke për tifozët e Tiranës?

Më pëlqejnë tifozët dhe i vlerësoj për mbështetjen e tyre në stadium dhe për këngët e tyre. Por shikoj që lojtarët kanë vështirësi që të festojnë me tifozët për shkak të së shkuarës. Nuk dua t’i hyj kësaj çështje, pasi nuk është puna ime sepse ajo që ka ndodhur vjet i përket sezonit të shkuar. Ndërsa këtë sezon gjithçka ka ndryshuar, pasi kanë ardhur lojtarë të rinj, staf i ri teknik dhe frymë e re në ekip.

A ke ndonjë mesazh për ata?

Unë mendoj se “Fanatics” duhet të jenë pranë ekipit, të na mbështesin dhe të jenë një shtysë e madhe për ne në rrugën e suksesit. Duhet të funksionojmë si një familje. Shikoj se pjesa dërrmuese e lojtarëve duan që të shkojnë dhe të festojnë me ata, të këndojnë këngët me ata. Lojtarët kanë nevojë për këtë energji që të jep festimi me tifozët. Problemi që ata kanë me presidentin, le ta mbajnë me atë, jo me lojtarët që luajnë në fushë. Ne jemi lojtarë të rinj në ekip, kështu që, unë nuk e kam idenë se çfarë ka ndodhur sezonin e shkuar, por duam që të jemi të suksesshëm dhe të nderojmë fanellën që mbajmë veshur. Mendoj se është momenti që të gjithë të jemi të bashkuar dhe si të tillë të jemi të suksesshëm në çdo ndeshje që luajmë.

Kur është luajtur një fazë, mund të më thuash ekipin që të ka vënë më shumë në vështirësi?

Tomori. Ata luanin fort dhe luftonin shumë në fushën e lojës. Ishte një ndeshje me agresivitet, por brenda normave të futbollit. Humbjen e vetme na e ka shkaktuar Bylisi, një kundërshtar normal, por që nuk na rrezikon, pasi kam besim se do të jemi të suksesshëm në fund.

ADELA MERKO

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"