E pabesueshme në Zagreb, Skënderbeut i ikën fitorja nga duart në shtesë (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 20:11

E pabesueshme në Zagreb, Skënderbeut i ikën fitorja nga duart në shtesë (Video)

Vetëm 60 sekonda ndanin Skënderbeun nga një rezultat historik në Ligën e Europës, ku po shkonte drejt një fitoreje 1-0 në fushën e Dinamos së Zagrebit. Goli i Latifit në pjesën e parë ku korçarët kishin luajtur në mënyrë të shkëlqyer, po shtynte ekipin e Dajës drejt një rezultati që do ta afronte ndjeshëm me pjesëmarrjen në fazën në grupe të turneut.

dinamo skenderbeu

Por një gol i Henrikez në minutën e 4-t shtesë të ndeshjes, në një moment kur dukej se gjithçka ishte në kontroll të plotë të korçarëve, i ka hequr atyre nga duart një sukses në shtëpinë e një prej skuadrave më të forta të Europës Lindore. Gjithsesi, kjo nuk zbeh aspak faktin se Skënderbeu është në një pozicion mjaft komod për kualifikimin e mëtejshëm, duke u kthyer në shtëpi me një rezultat pozitiv.

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet në barazim ndeshja.

90’+4’ E pabesueshme në Zagreb. Një goditje dënimi e devijuar nga Henrikez përfundon pas krahëve të Shehit.

90’ Pesë minuta shtesë në fundin e pjesës së parë.

89’ Top i gjatë për Xhejms i cili niset drejt portës, por Livakoviç del me shpejtësi dhe devijon me këmbë.

88’ Pak minuta në fushën e lojës edhe për Ditën, i cili zë vendin e Soue, autor i një paraqitje të shkëlqyer në debutimin e tij.

84’ Aksion në krahun e djathtë për Dinamon, topi mbërrin te Henrikez i cili gjuan pak hapa larg Shehit por kapiteni dhuron një tjetër superspritje.

81’ Gavazaj i lë vendin në fushë Muzakës i cili pozicionohet menjëherë në krahun e djathtë të mesfushës.

80’ Moro provon me një goditje dënimi në pozicion ballor. Por Shehi është në pozicion dhe kontrollon duke i dhënë qetësi skuadrës.

76’ Fernandes provon të bëjë gjithçka vetë dhe pasi driblon disa futbollistë të Skënderbeut gjuan në portë. Goditja e tij devijohet në fundore nga lojtarët e prapavijës korçare që e mbajnë lojtarin larg Shehit.

73’ Kundërzbritje e shpejtë këtë radhë në krahun tjetër për Soue i cili pret Latifin, por nuk pason aq fort sa duhet për të dërguar topin në këmbët e mesfushorit që gjendej në pozicion të favorshëm para portës. Largon mbrojtja vendase.

72’ Aksion shumë i mirë në krahun e djathtë  i futbollistit të sapofutur në lojë për korçarët. Xhejms merr fundoren por pasimi i tij është shumë i dobët për Soue.

70’ Daja ndryshon rreshtimin, duke hedhur në fushë Xhejms në vend të Osmanit. Por nigeriani do të rreshtohet si mesfushor i avancuar e jo si sulmues në këto minuta të fundit.

64’ Vazhdon të përsëritet e njëjta skemë e sulmeve të Dinamos me Fernandes që sulmon në krahun e djathtë dhe pason në qendër për një nga shokët e skuadrës. Këtë radhë është Hoxhiç që çon topin mbi traversë me një gjuajtje të fortë. Kroatët luajnë në zonën e Micit, i cili nuk mbështetet nga Latifi i shkëputur përpara.

62’ Moro provon me një gjuajtje ballore nga jashtë zonës, por si shokët e skuadrës edhe ai nuk ka fat, duke dërguar topin shumë lart mbi traversë.

59’ Fernandes provon me një gjuajtje në hyrje të zonës, por Paviçiç devijon gjuajtjen e shokut të tij të skuadrës, me sferën që përfundon jashtë kuadratit.

57’ Më ngulmuese Dinamo në këto minuta të para, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën e Skënderbeut. Por korçarët vazhdojnë me planin e tyre të lojës, duke luajtur me qetësi.

53’ Tjetër top i rrezikshëm në qendër i kroatëve. Këtë radhë askush nuk arrin ta devijojë, as Shehi i cili lë portën dhe fatmirësisht sfera përfundon jashtë.

51’ Gojak harkon një top në zonën e Skënderbeut dhe Fernandes godet me kokë, por topi përfundon mbi traversën e portës së Shehit.

47’ Shehi shpëton portën nga një gjuajtje e Hoxhiç pas një kundërsulmi të shpejtë të sulmuesit të kroatëve duke iu hedhur në këmbë.

46’ Fillon me një aksion të rrezikshëm të korçarëve ky fraksion i lojës. Lilaj gjen Soue në zonë dhe ai dërgon topin në rrjetë, por sinjalizohet në pozicion jashtë loje nga vijërojtësi.

46’ Asnjë ndryshim në fillimin e pjesës së dytë në radhët e të dy skuadrave.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin më se të merituar të Skënderbeut, që ka guxuar të luajë futboll përballë Dinamos. Vërshëllima për vendasit nga tifozët e pranishëm.

45’ Dy minuta shtesë në këtë pjesë të parë.

45’ Latifi ekzekuton një goditje dënimi nga e majta, por gardiani kundërshtar kontrollon në pozicion.

41’ Rasti i parë i rrezikshëm i Dinamos është një goditje dënimi e Fernandes, gjuajtja e të cilit përfundon jashtë ngjitur me shtyllën pingule në të djathtë të Shehit.

37′ GOOOL Latifi 0-1. Kundërsulm i shpejtë i Skënderbeut me Gavazajn në të djathtë. Mesfushori i kalon topin në qendër Latifit i cili gjuan dhe pastaj është me fat që topi i kthehet në këmbë pasi përplaset në trupin e portierit kundërshtar, duke e shtyrë atë në rrjetë.

36’ Përsëri karton i verdhë për ndërhyrjet ndaj Lilajt, këtë radhë është Stojanoviç që përfundon në bllokun e gjyqtarit. Ndërkohë, Çoriç lë fushën e lojës, duke i lënë vendin Paviçiç.

33’ Osmani jep një top të gjatë për Gavazajn por mesfushori i krahut të djathtë vonon në ndjekjen e aksionit duke humbur mundësinë për të rrezikuar portën kundërshtare.

32’ Lilaj sheh një hapësirë para zonës kundërshtare dhe provon të djathtën e tij. Goditja është shumë më e fortë se sa dëshironte mesfushori dhe topi kalon shumë lart mbi traversë.

29’ Gavazaj humb topin në një zonë të rrezikshme duke ia dhuruar kundërshtarit pranë zonës. Fatmirësisht për Skënderbeun, Lecjaks gjuan në trup të Radas duke shpërdoruar një aksion ët rrezikshëm për Dinamon.

28’ Aksion me shumë kombinime i Skënderbeut, që provon me Latifin e Soue të gjejë hapësira pranë zonës kundërshtare,  por pa gjuajtur në portë. Largon jo pa vështirësi prapavija e Dinamos.

27’ Kroatët nuk kursejnë ndërhyrjet e rënda ndaj Lilajt, mënyra e vetme për të ndaluar mesfushorin e Skënderbeut i cili në këto momente po dikton ritmet e lojës në “Maksimir”.

23’ Dueli më shpeshtë në këto minuta të para ka qenë ai mes Jashanicës dhe Fernandes në krahun e majtë të prapavijës së ekipit shqiptar, me numrin 5 të korçarëve që ka dalë thuajse gjithmonë fitues.

20’ Skënderbeu vazhdon të rezistojë mjaft mirë përballë Dinamos, duke bllokuar të rrezikshmin Çoriç që organizon manovrën ofensive kundërshtare e cila deri tani ka prodhuar pakgjë.

14’ Radas provon me një goditje dënimi që niset drejt trekëndëshit të portës së kroatëve, por Livakoviç grushton duke larguar rrezikun.

10’ Vijërojtësi i heq Skënderbeut mundësinë e shënimit të një goli. Topi përfundon në rrjetë pas një kombinimi mes Latifit e Vangjelit por ai sinjalizon në mënyrë të gabuar për pozicion jashtë loje. Gafë e rëndë kundër skuadrës shqiptare që mund të gjente golin në transfertë.

9’ Stojanoviç shpëton pa u ndëshkuar me karton të verdhë pas një simulimi qesharak në zonën korçare.

6’ Moro provon me një gjuajtje në hyrje të zonës por nuk gjen kuadratin e portës së korçarëve.

3’ Harkim nga e djathta e sulmit dhe prapavija e Skënderbeut gjendet menjëherë e papërgatitur, fatmirësisht, gjuajtja me kokë e Hoxhiç është shumë e lehtë për Shehin i cili kontrollon pa probleme edhe pse nuk kursen kritikat ndaj shokëve të skuadrës.

1′ Skënderbeu luan topin e parë duke filluar ndeshjen.

Dinamo Zagreb- Skënderbeu 1-1
90’+4′ Henrikez / 37′ Latifi

Dinamo Zagreb: Livakoviç, Stojanoviç, Benkoviç, Sigali, Lecjaks, Doumbia (81′ Fioliç), Moro, Gojak, Çoriç (36′ Paviçiç), Hoxhiç (77′ Henrikez), Fernandes.

Trajner: Mario Cvitanoviç

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani (70′ Xhejms), Lilaj, Nimaga, Gavazaj (81′ Muzaka), Latifi, Soue (88′ Dita).

Trajner: Ilir Daja

KV: Gojak, Stojanoviç / Osmani. Nimaga

Gjyqtar: Andris Treimanis

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"