E kërkuan edhe në verë, Klevis Dalipi: Tani u poqën “kushtet”! Duhet të forcohemi fizikisht, Lushnja shpëton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2023 | 20:49

E kërkuan edhe në verë, Klevis Dalipi: Tani u poqën “kushtet”! Duhet të forcohemi fizikisht, Lushnja shpëton

Vetëm 5 ditë pas emërimit, trajneri Klevis Dalipi “zbërthen” Lushnjën. Ka ardhur me ide të qarta: ta shpëtojë ekipin nga rënia. E quan të vështirë misionin, por është gati që ta çojë në fund këtë sfidë që i ka dhënë vetes. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai rrëfen shumëçka.

Dalipi

Duke filluar nga ofertat që iu bënë në verë, planet që ka me afrimet, politikën e klubit me largimet dhe gjendjen që ka gjetur grupin. Vlerëson eksperiencën e lojtarëve që ka nën urdhra, por thekson se duhet të forcohen fizikisht.

Nuk e pranuat ofertën ne verë, por dimri ju gjeti në Lushnjë. Si erdhi akordi?

Nuk ka qenë çështje zgjedhjeje ose përzgjedhjeje. Unë shkova në një skuadër tjetër në verë. Tani ishte momenti i duhur mund të them, kur u hap edhe merkatoja dhe kisha mundësinë që të bëja ndonjë ndryshim në skuadër. Dihet sa mundësi të ofron janari, megjithatë unë pranova. Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa bëri të mundur ardhjen time këtu.

E di që është e vështirë. Unë isha tek Akademia e Futbollit U-19, por kur bëhet fjalë nuk mund të thosha “jo”. E mora përsipër këtë sfidë, se bëhet fjalë për ekipin e një qyteti që e do futbollin me shpirt. Është mëkat që kjo skuadër të bjerë në një nivel që nuk i takon. Do të luaj rolin tim me shumë pasion, me shumë besim.

Jeni bërë pishman që thatë “jo” herën e parë?

Tani erdhën rrethanat apo kushtet. Nuk ishte e thënë të vija që në fillim. Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë. Unë mendoj që, e theksoj përsëri, misioni është shumë i vështirë, por unë jam këtu, për të dhënë gjithçka.

Çfarë ju mbush me besim?

Në këto 5 ditë stërvitje, kam hasur shumë seriozitet. Unë këtë pretendoj deri në fund të muajit. Të ketë vetëm disiplinë. Rishtazi sot (dje) kemi afruar edhe një lojtar nga Egnatia, Levendin. Ne e kërkuam, por edhe ai shprehu dëshirën që të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në këtë mision të vështirë që kemi tani. Jo vetëm unë, por të gjithë çunat. Përfshi këtu edhe djemtë me eksperiencë, stafin, me të cilët kemi qenë në çdo moment bashkë këtë fillim viti. Tani na mbetet vetëm të punojmë dhe të flasim më pak nëpër gazeta.

A keni një premtim për tifozët?

Janë të vetmit që nuk kanë faj për gjendjen në të cilën ndodhet Lushnja. Ata kanë qenë edhe në momente jo të mira, kur skuadra ka çeduar. Unë i kam parë, kanë qenë të shumtë në stadium. Unë i premtoj që bashkë me lojtarët do të japim shpirtin në fushë. Do të ketë shumë seriozitet dhe shumë përkushtim.

Si e keni gjetur ekipin?

Nga skuadra janë larguar shumë lojtarë. Këto janë politika të klubit, nuk më takojnë mua të flas. Unë erdha këtu dhe nuk i gjeta në ekip. Por, me këta që kam në dispozicion do të bëj të pamundurën. Të afrojmë edhe ndonjë tjetër, por të jetë vlerë e shtuar për skuadrën ai që do të vijë. Siç është rasti i Levendit. Unë nuk dua të flas për çfarë ka kaluar. Unë mendoj se skuadra ka nevojë shumë të përmirësohet fizikisht. Kjo është absolute. Duhet të përmirësohemi në kohë rekord.

Do t’ia dilni?

Koha është shumë e shkurtër deri në datën 28 janar. Ne do të punojmë me dy seanca në ditë për t’u përmirësuar sa më shpejt fizikisht. Unë mendoj që skuadra ka lojtarë me eksperiencë, që dinë të luajnë futboll. Dinë të interpretojnë mënyrën e lojës sime.

Duhet të përmirësohemi në këtë kohë rekord, sepse koha nuk është e mjaftueshme, por gjithsesi data 28 janar nuk është shumë afër. Unë mendoj, që në këtë kohë nëse përmirësohemi fizikisht, ne do të bëjmë të mundur që lojtarët të shprehen aty ku ata dinë më mirë. Ata janë lojtarë me eksperiencë. Vetëm na mungon përgatitja fizike dhe ana psikologjike e skuadrës, ndaj unë në këto ditë vetëm kam përcjellë besim dhe entuziazëm.

Cili është objektivi që ju ka vendosur kryebashkiakja?

Objektivi është shpëtimi i skuadrës. Pra, qëndrimi në Kategorinë e Parë është parësor. Unë këtë jo tani, por edhe në fillim të sezonit do të preferoja të ecnim me këmbë të mbështetura mirë në tokë. Nëse ne më vonë do të arrijmë më lart, aq më mirë. Por për momentin, skuadra duhet të kalojë këtë gjendje nga renditja dhe të mbijetojë në Kategorinë e Parë.

Debutoni të martën për llogari të Kupës së Shqipërisë me Tiranën që ju e njihni mirë…

Ndeshja e Kupës me Tiranën ka specifikë të veçantë. Në këto momente unë jam duke i dhënë shumë ngarkesë skuadrës. Unë mendoj se do të jetë një ndeshje shumë serioze, dinjitoze dhe shumë e luftuar. Por do t’ia lëmë fushës, pastaj të shohim vazhdimësinë. Dihet që Kupa është me dy takime, vajtje-ardhje dhe bëhet fjalë për një skuadër si Tirana që kualitetet janë të paevitueshme, që ka tjetër nivel, ka tjetër ritëm. Janë një hap para nesh.

A ka forcë Lushnja, që ta surprizojë Tiranën?

Unë mendoj që skuadra do të përballet me një seriozitet madhor.

Çfarë pritshmërish keni nga merkato?

Lojtarët që do të afrohen do të jenë të një niveli tjetër. Ne jemi akoma të hapur deri në datën 31 të këtij muaji. Nëse vjen dikush me vlera, është i mirëpritur. Përndryshe ne do të vazhdojmë me këta lojtarë, sepse nuk mund të bëjmë më gabimet që kemi bërë më parë.

Në këto ditë të para, që keni marrë frenat e ekipit, cilat janë rolet që kanë nevojë emergjente për ndërhyrje?

Ne duhet të plotësojmë ato vende, nga të cilat futbollistët janë larguar. Por do të jemi shumë të kujdesshëm, sepse ne e dimë që në këtë periudhë të merkatos, lojtarët janë të gjithë nën kontratë. Konkretisht edhe Levendi që vjen i huazuar. Nuk ka të lirë…

A do të ketë të tjera largime?

Duke qenë që edhe Daci u largua sot(dje), jemi në bisedime me një qendërmbrojtës. Presim edhe një nga Superiorja, një lojtar në fashën e majtë. Nëse arrijmë ta marrin, do të ishte mirë. Nuk e bëj dot me dije emrin, sepse nuk ka ende asgjë konkrete.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"