E kërkonte Skënderbeu, flet afrimi më i ri i Egnatias: Bëra zgjedhjen më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2021 | 18:41

E kërkonte Skënderbeu, flet afrimi më i ri i Egnatias: Bëra zgjedhjen më të mirë

Egnatia bën dy goditje të tjera në merkaton e verës dhe e çon në nëntë numrin e afrimeve zyrtare deri më tani. Klubi rrogozhinas ka njoftuar dje përmes faqes në “Facebook” firmën me mesfushorin 24-vjeçar nga Greqia, Timis Bardis. Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me Egnatian, teksa bëhet fjalë për një mesfushor që përshtatet në qendër dhe nga krahët e këtij reparti. Interesant është fakti se Bardis ka qenë shumë afër transferimit te Skënderbeu, por klubi i Egnatias është treguar më konkret dhe ka bindur grekun për të firmosur. Bardis forcon rrogozhinasit në mesfushë, pikërisht në një repart ku ka pasur disa largime nga sezoni i kaluar, si Alked Çelhaka, Brixhild Brahimaj, Orian Xhemalaj, Fadil Meta dhe Ildian Shyti.

pjimage (1)

Ndërkohë, “Panorama Sport” ka zbuluar dje se afrimi i radhës që Egnatia do të prezantojë në orët në vijim është mesfushori nga Hong Kongu, Remi Dujardin. Ky i fundit nuk është i panjohur, pasi në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Skënderbeut, edhe pse pa mundur të bëhet i rëndësishëm te korçarët. Madje ditët e fundit ai ka qenë pjesë e skuadrës së Memellit në fazën përgatitore, por është larguar përfundimisht dhe tashmë do të provojë shansin te rrogozhinasit.

Dujardin mund të përshtatet edhe në mesfushë, edhe në mbrojtje, teksa është një futbollist që luan me këmbën e majtë. Kujtojmë që përveç tyre, deri më tani Egnatia ka afruar edhe emra si Franc Ymeralilaj, Arbër Çyrbja, Alessandro Kacbufi, Bledar Lila, Mikhael Agbekpornu, Besart Krivanjeva dhe Besar Iseni. Mbrojtësi ganez, Agbekpornu, ende nuk i është bashkuar ekipit, teksa pret të pajiset me vizë.

DEKLARATA – Për “Panorama Sport” afrimi më i fundit i merkatos, Timis Bardis, tha se te rrogozhinasit do të jetë një përvojë e re për të dyja palët. “Arrita dakordësinë me presidentin e drejtuesit e Egnatias ditën e sotme (djeshme). Bisedimet në detaje ishin tepër korrekte dhe menjëherë firmosa kontratën që do jetë për plot 2 sezone. Ndihem mirë që do të jap kontribut në një skuadër si Egnatia, që sezonin e ri do të jetë pjesë e Superiores.

Që në fillimet e mia të karrierës e deri tani, kudo që kam luajtur, jam munduar të jap maksimumin. Roli im si mesfushor më jep mundësinë t’i shërbej skuadrës në çdo rast për të qenë konkurruese. Fillimet i kam në Greqi, më pas kam provuar të luaj edhe në kampionatin izraelit. Pavarësisht vështirësive që mund të kenë qenë, kam qenë i motivuar në shërbim të fanellës. Jam ndjerë i kënaqur që gjithçka ka shkuar mirë si për mua, dhe për vijimësinë totale. Tek Egnatia kam ardhur që të bëj dyfishin e detyrave që do të më caktohen kurdoherë. Kam bindjen se do të përshtatem me lojën që bëhet në kampionatin shqiptar. Po i ndjek me detaje udhëzimet e stafit që të arrij të ambientohem sa më mirë me shokët. U njoha me objektivat sezonalë dhe jam besimplotë se të gjithë bashkë do t’i japim Egnatias sa më shumë pozitivitet.

Gara është njësoj për çdo kundërshtar, vetëm se përballjet duhen marrë me radhë. Bëra zgjedhjen më të mirë midis shumë ofertave që i vlerësova në maksimum. E mendoj se do t’ia dal të tregoj vlerat e mia më të mira tek Egnatia. Nuk është se dallohem për shënimin e golave po do të vlerësoj pa masë çdo mundësi që do të më krijohet. Përvoja e re shpresoj të më shkojë sa më mbarë, jam stërvitur më parë individualisht e më mbetet të kap ritmin me pjesën tjetër të skuadrës. Edhe infrastruktura e ndërtuar stërvitore për duelet zyrtare më ka krijuar përshtypje të mira”, mbylli Timis Bardis.

ALDO BUZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"