“E kemi Federatën kundër”, drejtori sportiv i Flamurtarit: Më çudit Kushta, s’e kupton filozofinë e Idrizit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2023 | 10:10

“E kemi Federatën kundër”, drejtori sportiv i Flamurtarit: Më çudit Kushta, s’e kupton filozofinë e Idrizit

Alfred Ferko i trembet historisë së Tomorit. Nuk i harron 6 pikët që beratasit i morën Flamurtarit vjet, ndaj apelon për kujdes. Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori mendon se vlonjatët mendojnë se i kanë të gjithë kundër, nga FSHF-ja te gjyqtarët. Komenton edhe përplasjen IdriziKushta, ndërsa shpreh çudinë që Sokoli dikur kundër Dukës dhe tashmë është në anën e tij.

alfred ferko

Prisni Tomorin dhe mund të cilësohet një ndeshje e lehtë në letër. Mendoni kështu?

Jo, nuk mund të them kështu. Ndonjëherë kam frikë nga këto gjërat e historisë… I vetmi ekip që na mundi vjet ishte Tomori. Ma ka marrë 6 pikë dhe duhet të jemi me “këmbë në tokë”. Unë e kam thënë gjithnjë, ne jemi shumë më të fortë dhe është momenti që të kemi vazhdimësi. I kemi të gjitha mundësitë, pasi jemi një ekip vërtet shumë i fortë. Pavarësisht se i kemi të gjithë kundër.

Kë keni kundër?

Nga federata, arbitrat dhe të gjithë. Luftojmë kundër të gjithëve. Nesër historia do ta tregojë që ne jemi më të fortë se të gjithë, pavarësisht se dikush nuk do që në të vazhdojmë rrugën tonë. Ne do të vazhdojmë me atë që kemi në dorë, me kualitetin.

A mund t’ia dalë Flamurtari kundër të gjithëve?

Dikush do të mendojë një moment, pse këta vazhdojnë këtë luftë të drejtë, mos kemi gabuar me këta? Kanë gabuar vite të tëra. Kjo është historia. Ne jemi ata që jemi, me mundësitë tona shumë të mira, me kualitete, me lekët tona, që nuk na mungojnë dhe jemi ndoshta nga ekipet më korrekte, jo vetëm në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore.

Duket se po u afroheni rivalëve apo jo?

Rivalët janë ata që janë. Është një kampionat i gjatë, janë tri faza dhe kemi shumë për të rikuperuar. Ne gabuam shumë në fillim dhe shpresoj që të mos gabojmë në vazhdim.

Dy ndeshjet e radhës i luani në shtëpi, jeni më të qetë?

Mbarojmë Beratin, pastaj kemi një pushim dhe do të shikojmë me kujdes. Të gjithë kemi folur me trajnerin dhe me ekipin. Unë u kam thënë që asgjë nuk është e pamundur.

Administratori Idrizi i ka bërë thirrje Sokol Kushtës t’i bashkohet luftës kundër informalitetit. Cili është komenti juaj?

Idrizi ka bërë një luftë të gjatë me FSHF-në dhe shumë gjëra i ka paguar në kurriz. Por më habit Kushta, që e di shumë mirë që se si funksionojnë gjërat. Unë kam qenë i larguar dhe mbaj mend që Sokoli ka qenë edhe kundër federatës apo Dukës. Më vjen pak çudi që ka marrë anën e Dukës. Ndërkohë që Idrizi shumë herë e ka pasur të ftuar në radhën e parë të tij, aty në karriget e njerëzve VIP dhe ka qenë afër. Ndoshta Kushta nuk e kupton dot filozofinë e Idrizit. Ka diferencë të të menduarit ndoshta. Nëse qëndron afër me të, do ta kuptojë më mirë.

Por ndryshe nga çfarë po shpreheni ju, Kushta thotë se i mungon një ftesë nga Idrizi…

Jo, jo. Zoti Idrizi i ka ftuar të gjithë. Është nga ata njerëz që i ka mbajtur të gjithë afër dhe është munduar t’i mbajë dhe i mban afër të gjithë ata që kanë kontribuar për Flamurtarin. Kështu që Kushta të mendohet përpara se të flasë. Duke qenë afër me Idrizin mëson shumë gjëra edhe të shprehurit në jetë dhe batutave të përditshme.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"