E kanë mbyllur me Apoloninë, Andoni dhe Mehmeti, në “orbitën” e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2021 | 9:45

E kanë mbyllur me Apoloninë, Andoni dhe Mehmeti, në “orbitën” e…

E kanë mbyllur me Apoloninë, por nuk janë “të harruar” në merkato. Bëhet fjalë për fierakët Dejan Andoni dhe Ksement Mehmeti. Që të dy nuk janë më në llogaritë e klubit, por janë vënë nën optikën e skuadrave të tjera.

Apolonia-feston

Interesimet nga një sërë ekipesh sa vijnë e shtohen dhe kryesisht nga Kategoria e Parë, por në “pole” qëndron Besa. Rikthimi i Ndriçim Kashamit te kavajasit shton shanset që mbrojtësi dhe mesfushori ta shohin me prioritet këtë mundësi. Ai ua njeh mirë vlerat dhe ata do ta kenë më të thjeshtë përshtatjen.

ANDONI – Dejan Andoni i ka dhënë fund karrierës me Apoloninë pas plot 7 sezonesh. Edicionin e fundit në Kategorinë Superiore, 26- vjeçari u ndie i nënvlerësuar dhe u largua zemërthyer nga ky fakt, madje pa u shlyer për 3 muajt e fundit të kontratës. Tani futbollist i lirë, me një përvojë të konsiderueshme mbi supe, Andoni ka pasur jo pak oferta nga ekipe të Kategorisë së Parë, por edhe nga Kastrioti elitar.

Andoni Apolonia

Mund të mbulojë disa pozicione në prapavijë dhe në mesfushë, por roli i tij ideal është numri “6” dhe për Besën e Kashamit ai mund të përshtatej edhe si numër “8” në fushë. Vetëm 6 minuta është aktivizuar me ekipin e parë të Apolonisë sezonin që u mbyll, por Andoni ka qenë lider i skuadrës fierake U-21, ndaj dhe minutat në fushë nuk mund të quhen të munguara.

MEHMETI – Ksement Mehmeti e sheh veten si të padëshiruar pas plot 5 sezonesh me fanellën bardhejeshile. Ai ka regjistruar 103 ndeshje në total, kampionat dhe Kupë. Për arsye të hapësirave në fushë, 22- vjeçari pati përplasje me krerët e klubit, çka i kushtoi një largim pas javës së 24-t.

233412

Nuk e ngriti kurrë zërin për t’u ankuar, por ka vijuar të thotë: “Jam pjesë e Apolonisë”. Jo thjesht për opsionin “+1” që e mban të lidhur me skuadrën, por sepse e ndien në “gen” Apoloninë. Gjithsesi, shanset e rinovimit janë zeruar. Kavajasit e kanë studiuar mirë dhe janë hedhur në sulm për mesfushorin shumëplanësh.

Por, nga burime të sigurta, vetë Mehmeti i ka sytë nga elita dhe momentalisht nuk është shumë entuziast për projektin e Besës. Fieraku mund të nënshkruante në Kavajë vetëm nëse do të bindej për një platformë të qartë dhe konkurruese për misionin “Superiore”.

BUJAR RAMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"