“E kam mendjen te finalja e madhe”, Plori: Kemi treguar superioritet dhe me ekipet e Superligës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 14:39

“E kam mendjen te finalja e madhe”, Plori: Kemi treguar superioritet dhe me ekipet e Superligës

Besëlidhja nuk ka në plan që ta humbë këtë shans që i erdhi. Elita ka qenë një “mirazh” gjatë dekadës së fundit, por këtë herë lezhjanët janë të bindur se do t’ia dalin. Fillimisht duhet të kalojë Pogradecin, kundërshtar me të cilin dot t’i matin sot forcat në orën 18:00 në “Elbasan Arena”.
elvis plori
Elvis Plori mendon se skuadra do ta menaxhojë me sukses përballjen e “play out”-it dhe do të jetë gati për finalen e madhe me Vllazninë. “U bënë ditë që përgatitemi për Pogradecin. Është një ndeshje e veçantë kjo, pasi gabimet nuk pranohen. Për këtë motiv gjatë seancave të zhvilluara në kuadër të kësaj sfide ‘play off’-i jam përqendruar te kjo pjesë. Si ne ashtu edhe kundërshtari e duam me çdo kusht ngjitjen. Kjo përballje ka aromë ‘elite’, pasi me një fitore do të kemi shansin që të luajmë edhe me Vllazninë, për të vulosur njëherë e mirë verdiktin. E kam mendjen e gjitha te finalja e madhe (i referohet një ndeshjeje të mundshme me shkodranët), pasi rezultatin e ndeshjes në ‘Elbasan Arena’ do ta përcaktojë vetëm mirëmenaxhimi i gabimeve”, kështu u shpreh fillimisht numri një i pankinës lezhjane.
Beselidhja
Ai nuk e quan të tepruar optimizmin që ka te grupi dhe mundohet që të radhisë arsyet që e çojnë në këtë konkluzion. “Dhe unë mendoj se do t’ia dalim me sukses, pasi Besëlidhja ka disa futbollistë që e bëjnë diferencën. Optimizmin e mbështes jo vetëm te cilësia e lojtarëve, por edhe te superioriteti që kemi treguar ndaj skuadrave të forta, madje edhe me ato të Kategorisë Superiore. E shkuara më ka dëshmuar se edhe në rast mungesash e dëmtimesh, stoli më ka plotësuar dhe larguar nga telashet”, u shpreh më tej. I pyetur për gjykimin, trajneri nuk ka frikë dhe as nuk dëshiron që të paragjykojë. “Kam besim te federata, po ashtu edhe te gjyqtarët. Si ne edhe Pogradeci deri këtu kemi ardhur me forcat tona dhe po me forcat tona do ta përcaktojmë skuadrën e finales së madhe, e cila do të ndeshet me Vllazninë”, përfundoi shkodrani i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"