E ka tepruar me shpenzimet e kota, Çelsi në hall se nuk shkarkon dot Poçetinon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 19:28

E ka tepruar me shpenzimet e kota, Çelsi në hall se nuk shkarkon dot Poçetinon

Çelsi është në një situatë shumë delikate, brenda dhe jashtë fushës së lojës. Skuadra po bën shumë keq në kampionat dhe aktualisht e sheh veten në vendin e 11-të në renditje, edhe pse ka shpenzuar shuma marramendëse për të afruar lojtarë në merkato që kur drejtimin e mori Tod Bohli.

pocetino

Kjo ka sjellë një situatë të pazakontë, ku klubi tashmë nuk mund të shkarkojë trajnerin Mauricio Poçetino, edhe pse tifozët janë të pakënaqur me argjentinasin. Shkak bëhet situata financiare që ka rrjedhur si pasojë e shpenzimeve të çmendura, teksa klubi është në limitet që lejojnë rregulloret mbi bilancet financiare vjetore.

Poçetino ka edhe 18 muaj të mbetura në kontratën e tij dhe nëse klubi e shkarkon do të jetë i detyruar që të paguajë më shumë se 10 milionë paund si dëmshpërblim. Çelsi është duke u përpjekur të justifikojë para Premier Ligës shpenzimet që ka bërë deri tani dhe shkarkimi i Poçetinos do të shtonte një problem më shumë në këtë aspekt, duke bërë thuajse të pashmangshëm një ndëshkim me pikë siç ka ndodhur për klube të tjera.

Blutë duhet të bëjnë disa shitje para muajit qershor për të rregulluar bilancet dhe kjo ishte një nga arsyet pse klubi kërkonte shifra të larta për të shitur Armando Brojën në janar, edhe pse në fund përfundoi duke e dhënë në huazim për vetëm 4 milionë paund.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"