E bujshme, Xhiro e Italisë prek Shqipërinë në 2016-n

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2014 | 15:08

E bujshme, Xhiro e Italisë prek Shqipërinë në 2016-n

GiroSensacionale! Edhe Shqipëria mund të hyjë në historinë e Xhiros së Italisë në 2016-n. E konfirmon për “Panorama Sport” presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Vizita “blic” e zhvilluar ditën e djeshme në vendin e tonë e Roberto Todeskos, përfaqësuesit të prestigjiozes italiane “La Gazzetta dello Sport” (sponsori gjeneral i Xhiros së Italisë), me krerët më të lartë të sportit në Shqipëri ndezi dritën jeshile që elita e çiklizmit botëror të përshkojë edhe territorin e Shqipërisë pas dy viteve. Paraditen e djeshme, Todesko ka pasur një takim me drejtorin e Sporteve, Vladimir Gjonaj dhe shefin e Sportit Elitar, Arjan Konomi, të cilët shprehën mbështetjen maksimale që Xhiro e Italisë të përshkojë Shqipërinë. Më pas, i dërguari zyrtar i “Grand Tour”- it sipas presidentit Anxhaku iu rezervua një pritje edhe në zyrat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar nga presidenti dhe sekretari i përgjithshëm, Viron Bezhani dhe Stavri Bello. Sipas drejtuesve të KOKSH-it, kjo garë do të vlente shumë për sportin, njëherësh do të ishte një publicitet i madh për Shqipërinë në fushën e turizmit në arenën ndërkombëtare. “Dy janë opsione të mundshme, që gara të nisë nga Tirana me 20 xhiro në kryeqytet e të vijojë rrugëtimin drejt Sarandës. Mes diskutimeve u propozua që çiklistët pjesëmarrës të bëjnë një ndalesë në pedonalen e Vlorës për të vijuar në Sarandë dhe më pas në Konispol. Gjithashtu, u hodh ideja edhe e një etape nga Rruga e Kombit. Ky projekt ka marrë OK-in edhe të presidentit të UCI-t apo të Federatës Italiane. Por seria e negociatave nuk ndalet këtu, pasi janë parashikuar takime të ministres Lindita Nikolla edhe me ambasadorin italian. Urojmë e shpresojmë që kjo të bëhet realitet për Shqipërinë”, tha për gazetën presidenti Anxhaku. Zyrtarisht për këtë është vënë në dijeni nëpërmjet një shkrese edhe ministrja Nikolla nga pala italiane.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"