E bujshme/ Bajerni rikthen Jup Hejnkens në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 0:02

E bujshme/ Bajerni rikthen Jup Hejnkens në stol

Jup Hejnkes është trajneri i ri i Bajernit të Mynihut. Të paktën kështu raportonte dje në mesnatë prestigjiozja gjermane, “Bild”. Lajmin e bujshëm nuk e kanë komentuar zyrtarët e klubit bavarez dhe deri sa nuk pati asnjë reagim pas publikimit të tij, ka shumë të ngjarë që gjatë ditës së sotme kampionët të zyrtarizojnë rikthimin në stol të trajnerit që bëri tripletën në sezonin 2012-2013.

Hejnkes

Ai mësohet se ka pranuar ofertën për ta drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni. Ish-trajneri gjerman ishte tërhequr që pas suksesit të bujshëm që korri me Bajernin para katër sezonesh, por Hënes dhe Rumenige kanë qenë bindës në ofertën e tyre, duke shtangur Tuhelin, i cili konsiderohej edhe favoriti kryesor. Pas shkarkimit të Ançelotit drejtimin e përkohshëm të Bajernit e kishte marrë Uilli Sanjol.

Kandidatët e tjerë

Orët e fundit kishte qarkulluar edhe emri i Luis Enrikes për të pasuar Karlo Ançelotin. Emrit të tij i mëshuan mediat pas takimit të Hënesit me Guardiolën, por rezultoi se ishte thjesht një spekulim. Sipas asaj që raportohej dje në mbrëmje, Hënes kishte nisur negociatat me Hejnkesin që para shkarkimit të Ançelotit, por ai e pat refuzuar disa herë me pretendimin se nuk dëshironte të rikthehej në stolin e asnjë skuadre.

Klanet në ekip

Bajerni po kalon një nga momentet më të vështira të viteve të fundit. Jo për mungesë cilësie, por për shkak se mungon harmonia në ekip. Disa nga veteranët e skuadrës si Riberi, Roben, Myler, por edhe ndonjë tjetër nuk kishin raporte të mira me ish-trajnerin Ançeloti. Klubi pat pohuar se pesë futbollistë nuk e donin më ish-trajnerin dhe për këtë arsye vendosën që të bënin ndryshime. Ndërkaq, kishte edhe lojtarë që nuk donin largimin e italianit, mes të cilëve Alkantara dhe Levandovski. Tani Jup Hejnkesit i mbetet një detyrë e vështirë: të ribashkojë grupin edhe të tentojë të fitojë Champions-in.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"