Dushi: Lushnjë nxito, kërko dy fusha! Kemi varfëri në talente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 21:08

Dushi: Lushnjë nxito, kërko dy fusha! Kemi varfëri në talente

Llazar Dushi e sheh Lushnjën në pikë të hallit. Mungesën e një fushe stërvitore ai e cilëson si vrastare për prodhimin e talenteve. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ish-sekretari i klubit tha se drejtuesit duhet të lëvizin për të përfituar nga projekti i 100 fushave. Specialisti lushnjar tha se Lushnja ka kushte skandaloze, ndaj duhet të bashkëpunojë me FSHF-në.
Albpetroli-Llazar-Dushi
“Në kushtet ku ndodhet aktualisht Lushnja, gjithçka ka mbetur për të ardhur keq. Dhe këtu i referohem infrastrukturës. Nuk ka akoma një fushë ku skuadra të stërvitet. Nëse ky projekt i FSHF-së do të zbatohet, atëherë shpresojmë që verdhejeshilët të përfitojnë. Por, që të përfitojë Lushnja nga ky projekt duhet të bëjë një kërkesë zyrtare duke e paraqitur me fakte gjendjen aktuale të terreneve. Pra, të bëhet një preventiv, që do të thotë: Në çfarë gjendjeje janë terrenet dhe sa investime duan?! Sa është Lushnja e gatshme që të paraqesë kërkesën në FSHF për miratim të një ose dy fushave stërvitore?! Për mendimin tim Lushnja nuk ka nevojë për një, por për dy fusha. Për skuadrën kryesore dhe për skuadrat e moshave. Varfëria në talente ka ardhur edhe nga kushtet e këqija të infrastrukturës. Për vite të tëra bëhet stërvitje në baltë dhe në pluhur. Prandaj, urgjentisht, unë mendoj dhe sugjeroj që klubi i Lushnjës të hyjë në marrëveshje me FSHF-në. Të bëhet një takim midis drejtuesve të klubit të Lushnjës me drejtuesit e FSHF-së që merren me shpërndarjen e terreneve. Të paraqitet kërkesa dhe e shoqëruar me pamje filmike. ‘Ja në çfarë gjendjeje jemi!’ Kërkesa të bashkëngjitet edhe me një preventiv.
lushnja
Këto janë kushtet e infrastrukturës dhe kërkojmë të hyjmë të bashkëpunim. Komisioni që shpërndan fushat në FSHF, të shikojë kushtet e Lushnjës. Nëse ka detyra që Lushnja duhet të kryejë punime, le t’i bëjë. Kryesorja është që Lushnja duhet të jetë ndër të parët që të bëjë kërkesë zyrtare për fusha futbolli. Nëse Fieri ka tri fusha, pse duhet të bëjë katër? Të përfitojë Lushnja që nuk ka asnjë. Me krijimin e kushteve do të jetë më prezente kërkesa e llogarisë”, tha fillimisht ai.
lushnjaaaa

SITUATA – Ish-trajneri evidenton se ka ardhur koha që futbolli të rifillojë dhe t’i jepet fund vuajtjes 2-mujore. “Lushnja ka kushtet e Superiores. Është një stadium i licencuar i Superiores. Stadiumet janë pak a shumë aty-aty. Mund të ndiqet një procedure e tillë, që lojtarët të zhvishen 3-4 njëkohësisht dhe të dalin në fushë nga 3 apo nga 4. Të veprohet fillimisht si në vendet e tjera të Europës. Me ushtrime dhe lojëra të distancave, të largësive, me vrapime. Patjetër që të matet temperatura në fillim, siç shkojmë në bankë, ku na matin temperaturën. Një person i mjekësisë në stadium mund t’ua masë temperaturën lojtarëve, para se të nisë stërvitja. Futbolli duhet të rifillojë. Futbolli është adrenalinë e këtij populli. Boll vuajti dy muaj në karantinë, të shikojë pak futboll. Për mua janë mundësitë që edhe Kategoria e Parë të rifillojë”, përfundoi Llazar Dushi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"