Duhet një pasardhës për ish-kapitenët, Partizani s’gjen dot “qendrën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 8:24

Duhet një pasardhës për ish-kapitenët, Partizani s’gjen dot “qendrën”

Nëse në këto dy sezone të fundit duhet të etiketojmë një skuadër të plotësuar në organikë, Partizani zë vendin e parë. Klubi kampion i ka qëndruar politikës pozitive për të mos ndryshuar gjithë ekipin dhe largimet kanë ndodhur me pikatore, teksa drejtuesit janë përpjekur t’i zëvendësojnë me lojtarë po aq cilësore.

PARTIZANII

Kjo nuk ka ndodhur me mbrojtjen, ku duket se shënjestra nuk ka qenë e duhura dhe dështimet kanë pasur njëri-tjetrin.

BELICA-MENISH – Një nga largimet më të bujshme të viteve të fundit ishte Egzon Belica, i cili u largua në mënyrë të befasishme rreth një vit e gjysmë më parë. Drejtuesit e asaj kohe u detyruan të hynin në merkato për të gjetur një zëvendësues dhe arritën të firmosnin me sllovakun Jozef Menish, që vinte me një “CV” të pasur dhe me mjaft pritshmëri mbi supe. Mbrojtësi në asnjë moment nuk arriti të tregojë veten dhe të mbushë “gropën” që krijoi Belica në mbrojtje. U largua në verën e shkuar pas marrëveshjes dypalëshe me klubin.

BITRI-KOÇIJAN – Në janarin e vitit 2023 nga Partizani u largua Eneo Bitri, në atë kohë kapiten i ekipit dhe mbrojtësi më i fortë i Kategorisë Superiore. Të kuqtë e kërkuan në janar një zëvendësues, por nuk e gjetën dhe trajneri Kolela u detyrua të spostonte Bruno Telushin në mbrojtje. Në verë, me ndryshimet në kupolën drejtuese dhe ardhjen e Zoran Zekiçit në stol, Partizani hyri sërish fuqishëm në treg për të gjetur një mbrojtës të ngjashëm me Bitrin, pas dështimit për të kthyer beratasin.

Në fund u zgjodh Mateo Koçijan i Slaven Belupos, një njohje e vjetër me trajnerin Zekiç. Pavarësisht pritshmërive, Koçijan nuk arriti në asnjë moment nivelin e kërkuar dhe u largua pa zhurmë në janar, ndikuar edhe nga një dëmtim, që u shndërrua në serioz rrugës.

MIKULIÇ – Pas kthimit të Skukës për sulmin, i vetmi element që i mungonte Partizanit ishte një mbrojtës që bën diferencën, krahasuar me Sotën, Prekën apo Sembene. Pas një kërkimi dhe pritjeje të gjatë, drejtuesit firmosën me Mikuliç në janar. Sot, pas rreth një muaji e gjysmë te Partizani, kroati ende nuk ka dhënë sinjale të një lojtari që bën diferencën ndaj të tjerëve, përveç shtatlartësisë. Ndoshta 27-vjeçari ka nevojë ende për kohë dhe mbetet për t’u parë deri në “Final 4”. Deri më tani ka rezultuar të jetë vetëm një opsion nga stoli.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"