Dueli kundër Lushnjës në Kupë, flet trajneri i Tërbunit: Më shqetësojnë mungesat, shpresojmë që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 12:44

Dueli kundër Lushnjës në Kupë, flet trajneri i Tërbunit: Më shqetësojnë mungesat, shpresojmë që…

Tërbuni do të udhëtojë dot drejt Lushnjës, ku do të ndeshet me vendësit për llogari të Kupës së Shqipërisë. Alert Alcani nuk do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion dhe kjo e shqetëson, e megjithatë nuk e humb besimin. Këtë e thotë edhe gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”:

alert alcani

“Nuk shkojmë të plotë në Lushnjë. Rezi do të mungojë, pasi është nisur drejt Italisë për arsye familjare. As Krasniqin e ardhur këtë merkato vere me aq bujë ende nuk e kemi të gatshëm.

Gjithsesi, do të provoj të hedh në fushë një formacion që të na nderojë, ndonëse shumica janë lojtarët e stolit apo ata që nuk kanë marrë shumë minuta në kampionat.

Por, me apo pa mungesa ne nuk do të dorëzohemi. Ekipi ka organikë cilësore dhe nuk duhet të limitohemi. Suksesi është suksesi në çdo kompeticion.

Verdhejeshilët luajnë në shtëpi dhe janë më të favorizuar, por ne do të hyjmë në fushë si të barabartë, edhe pse rezultati i këtij takimi nuk ka shumë rëndësi për ne pasi vëmendjen e kemi të përqendruar te kampionati.

Ndërprerja e tij na ka ndihmuar për t’u përgatitur sa më mirë.

Kemi zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë përveç ditëve me reshje. Besoj që futbollistët që sot do të hedh në fushë do të japin më të mirën e tyre edhe për të treguar se çfarë janë të aftë të bëjnë.

Pas këtij takimi na pret anti-Besëlidhja e vlefshme për kampionat dhe nuk duam ta humbim atë përballje, madje as të barazojmë. Shpresojmë që kushtet atmosferike të na lejojnë të nxjerrim një lojë të bukur.

Fusha e Lushnjës është rikonstruktuar dhe të lejon të luash futboll. U kam kërkuar lojtarëve të jenë të kujdesshëm edhe sa u përket dëmtimeve, sepse na pret një ndeshje e rëndësishme më pas”.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"