Duan fitore ndaj Egnatias dhe Skënderbeut, Kastrioti dy “finale” për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2021 | 10:34

Duan fitore ndaj Egnatias dhe Skënderbeut, Kastrioti dy “finale” për mbijetesën

Kastriotin e presin dy finale në dy javët e ardhshme. Fillimisht krutanët do të presin në Kamzë Egnatian e më pas do të përballen me Skënderbeun në Korçë.

KASTRIOTI

Këto dy ndeshje mund të vendosin shumë për fatet e sezonit, nga ku krutanët presin që të bëjnë edhe kthesën e madhe. Që dje skuadra ka nisur përgatitjet për sfidën e së dielës me rrogozhinasit, një përballje e rëndësishme e cila do të vendosë shumë për të ardhmen e krutanëve.

Kastrioti në këto javë shpesh është ankuar për mungesën e fatit, mungesat e shumta apo fillimin e vonë të përgatitjeve, megjithatë tanimë nuk ka kohë për justifikim, pasi javët sa vijnë e shkurtohen dhe nuk ka kohë për të humbur. Lajmi i mirë që kanë marrë krutanët dje ka të bëjë Bashën i cili do të jetë në dispozicion të stafit eknik për sfidën e së dielës dhe shqetësimi që pati në ndeshjen me Tiranën ka rezultuar një kontraktim i lehtë.

Krahas Bashës rikthehet edhe Rami pas pezullimit. Në këtë mënyrë krutanët kanë një kontigjent disi më të plotë se në ndeshjet e shkuara. Gjithashtu, për të pasur sa më shumë mbështetje është hedhur ideja që për ndeshjen e së dielës, hyrja për tifozët vendas të jetë e lirë, gjithsesi mbetet të shihet deri në vendimin përfundimtar.

Krutanët kanë një bilanc negativ me Egnatian në këtë sezon pasi në përballjen e parë me rrogozhinasit në transfertë janë mposhtur me shifrat 2-1, me një gol që u shënua në shtesë. Megjithatë, duke e konsideruar si një rival të drejtpërdrejtë, shpresohet që këtë radhë gjithçka të jetë në favorin e tyre.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"