Drejtuesit hidhen në merkato, dy sulmuesit pranë kalimit te Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 10:58

Drejtuesit hidhen në merkato, dy sulmuesit pranë kalimit te Lushnja

Edhe pse ka përfunduar kampionati, lushnjarët vijojnë të jenë në terrenin stërvitor. Sot është planifikuar seanca e fundit dhe nesër nisin pushimet dimërore. Kjo është periudha kur skuadrat, sidomos ato me pretendime serioze, mundohen të plotësojnë organikën me ndonjë element që i nevojitet për të arritur objektivin.


lushnja

Në këto kushte është edhe Lushnja, që mban vendin e dytë në Grupin B, që duelon me Pogradecin dhe Apoloninë për ngjitjen në Superiore. Sulmuesi Fatjon Sefa i mungon skuadrës prej kohësh për shkak të një dëmtimi që i imponon ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa mbrojtësi titullar, Beqir Ibrahimllari, është larguar për në Amerikë, kështu që trajnerit Ilir Gjyla i duhen përforcime për pjesën e dytë të kampionatit. Ai ka pohuar se kërkon dy mbrojtës dhe një mesfushor, por nuk përjashtohen lëvizjet në të tria repartet.

PEPA-BRANICA – Me mungesën e Sefës, u duke se Lushnja do të vuante në sulm, por javët e fundit Mezini është ai që ka impresionuar dhe ka merituar vendin e titullarit. Me lushnjarët stërvitet prej më shumë se një muaji edhe sulmuesi Brunild Pepa, i cili pritet t’u bashkohet zyrtarisht verdhejeshilëve në merkaton e dimrit.

Përveç tij, një tjetër sulmues është gati të rikthehet, Klejdis Branica, peqinasi që sapo ka mbyllur kontratën me Apoloninë, ku luajti në pjesën e parë të sezonit. “Është shumë shpejt për të folur, por më pëlqen që kam kontakte me Lushnjën, sepse kam luajtur aty”, u shpreh Branica për “Panorama Sport”. Branica ka qenë pjesë e Lushnjës në sezonet 2014-2015 dhe 2016- 2018, ai mund të luajë edhe si mesfushor krahu.
Brunild Pepa

MBROJTJA – Për përforcimin e mbrojtjes, i vetmi emër që ka qarkulluar ditët e fundit është ai i Franci Bufasit, pas dënimit të Shkumbinit, ku ai luajti në 12 javët e para. Por vetë futbollisti mohon të ketë pasur ndonjë kontakt me drejtuesit e Lushnjës dhe ka pak gjasa që kjo pistë të bëhet, aq më tepër duke ditur që shtatlarti ishte pjesë e verdhejeshilëve deri në verë.

Largimi i Ibrahimllarit ka lënë një gropë të madhe në prapavijën e lushnjarëve, ku duhen afruar të paktën dy lojtarë, por në këtë periudhë është shumë e vështirë të gjesh lojtarë të lirë me kualitet.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"