Drejtori “mbron” sulmin,Ferko: Flamurtari brenda objektivit, asnjë problem në finalizim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2023 | 18:36

Drejtori “mbron” sulmin,Ferko: Flamurtari brenda objektivit, asnjë problem në finalizim

Pavarësisht luhatjeve, Alfred Ferko e sheh Flamurtarin brenda objektivit “Superiore”. Nuk mendon se skuadra çalon dhe aq më pak me finalizim, ndërsa kujton katër golat që i bënë Lushnjës.

alfred ferko

Vlerëson grupin për karakterin dhe kualitetin që ka, aq sa me bindje e thotë që do të vijë një moment që do të shpërthejnë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, drejtori i klubit i pranon disa problematika në barazimin kundër Apolonisë, kryesisht në interpretimin e lojës. Kur vjen puna te rivalët pastaj, ai mendon se kanë vetëm veten…

Kur pritej e treta fitore radhazi, Flamurtari u ndal nga Apolonia. Si është situata në ekip pas barazimit në shtëpi?

Situata është shumë e mirë, pavarësisht nisjes që i bëmë. Ata ishin hapat e parë dhe tani mund të them se gjendja në skuadër është e shëndoshë. Jam shumë i kënaqur, pasi kemi afruar shumë lojtarë të mirë dhe që bëjnë diferencën. Janë futbollistë me kualitete dhe që kanë një eksperiencë të konsiderueshme. Kemi emra që kanë luajtur në Superiore dhe kanë bërë mirë atje ku kanë qenë. I kanë mbajtur ishskuadrat e tyre në shpatulla, por kanë edhe përvojën e duhur për këtë kategori ku luajmë. E thënë troç, ky grup mua më bind. Kanë për të bërë më të mirën në vazhdimësi më besoni dhe më e rëndësishme është se do të japin maksimumin për këtë fanellë.

Skuadra krijon volum loje, por shpërdoron shumë. A ka probleme me finalizimin?

Unë nuk shikoj ndonjë ngërç në finalizim. Kjo skuadër ka shënuar katër gola në Lushnjë. Them se kishim vetëm një problem në ndeshjen me Apoloninë.

Çfarë nuk shkoi siç duhet kundër Apolonisë?

Thjeshtë ishte një ndeshje e interpretuar jo mirë nga ana jonë.

Këtë fundjavë udhëtoni në Luz, atje ku ju pret Besa. Do të vijë kthesa?

Presim maksimumin. Unë jam shumë optimist për këtë ekip. Kemi lojtarë shumë të mirë dhe një grup të fortë. Na janë bashkuar jo vetëm elementë me kualitete të mëdha, por mbi të gjitha me karakter. Kemi Antoni Beji apo edhe Lancinet Sidiben, që na janë bashkuar tani në fund. Kam besim se ata do t’i japin një ritëm edhe më të madh ekipit. Kemi një Flamurtar ndryshe tashmë. Konkurrenca është shumë e madhe. Në fakt nuk ka pasur shumë hapësira për Mateus Indion, pasi edhe ai si të gjithë të tjerët kanë vlerat e veta. Por unë jam i bindur se ky ekip do të luftojë deri në fund si një grup i bashkuar.

Me këto luhatje të shfaqura në 6 javë, mendoni se skuadra po del jashtë objektivit?

Nuk mund të dalë një ekip jashtë objektivave në fund të shtatorit. Jemi shumë shpejt për të folur për këtë. Kemi përpara edhe plot 8 muaj. Kampionati është shumë i gjatë. Patjetër që ky Flamurtar është ndërtuar për objektivin madhor që ju të gjithë e dini. Kjo skuadër e ka vendin në Superiore.

Tashmë që janë luajtur 540 minuta, keni një pamje më të qartë edhe për garën. Cilat ekipe shikoni si rivalë për ngjitjen?

Në fakt të gjitha ekipet janë për t’u vlerësuar. Por Flamurtari rival ka vetëm Flamurtarin, nuk kemi asnjë tjetër.

ERMAL  SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"