Drejtori i Flamurtarit sheh fitore edhe ndaj Burrelit. Ferko krenohet me konkurrencën: Kemi dy formacione të barabarta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 18:10

Drejtori i Flamurtarit sheh fitore edhe ndaj Burrelit. Ferko krenohet me konkurrencën: Kemi dy formacione të barabarta

Alfred Ferko e shikon Flamurtarin jo vetëm të ngjitur, por edhe kampion të Kategorisë së Parë. Drejtori “krenohet” me grupin e ndërtuar dhe konkurrencën e shtuar, aq sa evidenton se kanë dy formacione të barabarta.

ferko

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” flet edhe për transfertën e kësaj jave.  E quan të vështirë ndeshjen në Burrel, por jo të pakalueshme.

Si duket skuadra pas fitores me Elbasanin?

Në fakt duhej pak kohë. Ishim shumë të bindur se kthesa do të vinte. Kishim Oliveirën një lojtar shumë të rëndësishëm për ne, jo se shënoi, por ka qenë protagonist gjithmonë. Ai u rikthye dhe kjo është gjë shumë e mirë. Nga ndeshja e Vorës dhe më pas, ekipi ka krijuar, ka bërë dhe lojëra të bukura.

Vucaj dhe Ilieski janë të dëmtuar. Ju shqetëson kjo gjë?

Kemi mungesë Vucajn i dëmtuar dhe në vijim do ta shikojmë situatën e tij. Po ashtu edhe Ilieski është i dëmtuar. Janë dy lojtarë me peshë për skuadrën tonë. Imagjino çfarë kualitetesh ka Flamurtari që janë ende për t’u rikuperuar. Ju duhet pak kohë që të jenë gati.

Cila është “nota” që i jepni kësaj skuadre?

Shikoni, ky grup është krijuar për të fituar dhe kjo është shumë e rëndësishme. Janë dy 11-she të barabarta. Trajneri ka të gjithë luksin që të përdori dhe të mendojë për situata të ndryshme të lojës. Të dyja janë në favor të trajnerit dhe të skuadrës.

Po thoni që ka edhe konkurrencë?

Ka shumë konkurrencë. Do të ketë edhe ndonjë moment që dikush mund të ketë qejfmbetje, por e rëndësishme është që në momentin që lojtari hyn në fushë duhet të jetë i gatshëm për t’i shërbyer ekipit.

Dy ndeshjet e radhës janë në transfertë. I shikoni të vështira?

Në transfertë dhe shtëpi, për mua njëlloj janë. Ne i bëjmë të lehta ose i bëjmë të vështira. Shpresojmë që t’i luajmë të gjitha në favorin tonë. Rruga është e gjatë dhe sikundër e shikoni ndoshta dhe kundërshtarët tanë nuk po gabojnë. Ne gabuam fillimisht. Tani duhet të jemi ne që t’i japim tonin përsëri kampionatit, se i kemi të gjitha mundësitë.

Këtë javë shkoni në Burrel, i druheni?

Jo, ne i druhemi vetëm vetes sonë, ndonjë momenti të keq. Për të tjerat, jo, nuk i druhemi askujt.

Kundërshtarët tuaj cilët janë?

Me gjithë respektin për të gjitha skuadrat, po evidenton disa. Po e nis nga Apolonia, që po bën një kampionat shumë të bukur dhe për të kaluar te Bylisi që në këtë moment nuk po gabon, pa harruar Elbasanin dhe Vorën. Do të luftojmë deri në fund për të qenë pretendetë, fituar titullin dhe ngjitur në Superiore.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"