Drejtori i akademisë tregon bashkëpunimin me Memushin. Xhafa: Flamurtari ia del, të mendojë “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 13:35

Drejtori i akademisë tregon bashkëpunimin me Memushin. Xhafa: Flamurtari ia del, të mendojë “play off”-in

Fjodor Xhafa mendon se Flamurtari e arrin ngjitjen në Superiore përmes “play off”-it. Për “Panorama sport”, ish-sulmuesi vlonjat, thekson se skuadra duhet t’i shohë të gjitha ndeshjet si finale. Xhafa pohon se kuqezinjtë kanë elementë shumë cilësorë.

fjodor-xhafa

“Me humbjen me Burrelin mund të duket si më e vështirë, por është ende koha e duhur për t’ia dalë. Me pak sforco dhe me sa më shumë punë i kanë mundësitë për të arritur objektivin e klubit. Kundër çdo kundërshtari duhet të fitojnë. Matematika mund të na mbajë në lojë për të kapur dy vendet e para, por tani ekipi duhet të mendojë më shumë për ‘play off’-in, pasi mbetet rruga për të arritur objektivin.

Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar dhe çdo ndeshje të mbetur nga kjo fazë ta shohim si finale. Sado i fortë apo i dobët të jetë në letër, Flamurtari duhet të futet në fushë për të fituar. Skuadra ka brenda elementë cilësorë që bëjmë diferencën dhe që i dinë përgjegjësitë dhe peshën e fanellës”, u shpreh fillimisht Xhafa.

TALENTET – Fjodor Xhafa është drejtor i akademisë së Flamurtarit. Ai thekson se skuadra e parë i ka hedhur sytë nga moshat për të evidentuar sa më shumë elementë. Xhafa vlerëson dëshirën e trajnerit Memushi për të bashkëpunuar me akademinë. “Nga periudha që ka ardhur profesor Eqerem Memushi, stafi i ekipit të parë dhe stafi akademisë kanë bërë mbledhje.

Memushi ka ardhur dhe ka ndjekur edhe seanca stërvitore. Është vendosur të jenë të pranishëm edhe në ndeshjet që do të luajnë ekipet U-17 dhe U-19, në mënyrë që të jenë më afër e më objektiv te vendimet e përbashkëta për lojtarët. Është një stimul edhe për futbollistët që duan një ditë të veshin fanellën e ekipit të parë. Kemi diskutuar në klub edhe në këtë drejtim, ku kemi dhënë prioritetet dhe të fokusohemi tek evidentimi i elementëve për ekipin e parë.

Mund të sjellë si shembull Leshi, që po luan te ekipi i parë. Është në drejtimin e duhur, por i duhet akoma forcë karakteri për të shkuar më tej. Duhet të jetë më kërkues ndaj vetes që të mos jetë objektivi i përmbushur për të, por fillimi i një të riu. Nga ana tjetër, janë dy lojtarë të U–19, të cilët janë huazuar te Labëria. Kemi sërish një lojtar të ri që aktivizohet te ekipi i parë. Ky është stimul për të rinjtë, kur u thua se kemi vëmendjen te ju”, shprehet Xhafa.

MESAZHI – Fjodor Xhafa vjen nga një familje futbollistësh. Ai është i biri i Uran Xhafës, një prej legjendave vlonjate. Xhafa ka edhe një mesazh për futbollistët e sotëm, që të frymëzohen nga fanella. “Ne jemi rritur me frymën e Flamurtarit të madh dhe e përjetonim që të vegjël. Fëmijët e sotëm nuk e kanë atë përjetim për ngjyrat e ekipit. Ka qenë koha e tillë, emra të tillë, ekip që jepnin shpirtin në fushë. Motivimi është baza e gjithçkaje. Nuk mjafton talenti apo të dish të luash futboll, pjesa e karakterit është shumë e rëndësishme”, përfundoi Fjodor Xhafa.

10

pikë ka fituar Flamurtari nën drejtimin e trajnerit Eqerem Memushi në 5 javët e fundit. Në drejtimin e trajnerit të ri vlonjatët kanë këtë bilanc: 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Golavarazhi është 11-5.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"