Donte largimin nga Lushnja, Vilfor Hysa bën prapakthehu: Kisha oferta, zgjidha disa probleme me klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2021 | 12:49

Donte largimin nga Lushnja, Vilfor Hysa bën prapakthehu: Kisha oferta, zgjidha disa probleme me klubin

Vilfor Hysa bën pra pakthehu. Pas një jave mungesë, sulmuesi është rikthyer në Lushnjë dhe ka nisur stërvitjen. Edhe pse pati kërkuar largimin nga klubi, gjithçka është zgjidhur. Këmbëngulja e Ilir Gjylës për ta pasur në ekip ka dhënë efektet e veta. 31-vjeçari prej së mërkurës është kthyer në qytet, ndërsa dje i është bashkuar edhe grupit.
vilfor hysa
KONFIRMIMI
Ishte vetë tiranasi që ka konfirmuar lajmin për “Panorama Sport”, ndërsa ka qartësuar se ka zgjidhur edhe disa probleme të vogla me klubin. “Është e vërtetë, jam rikthyer. Kam vendosur të qëndroj te Lushnja deri në fund të sezonit. Të mërkurën jam stërvitur veçmas, pasi ekipi kishte një miqësore me Albpetrolin dhe unë nuk luajta. Sot (dje) i jam bashkuar skuadrës në stërvitje dhe do të mbaj veshur deri në fund të sezonit këtë fanellë”, u shpreh fillimisht Hysa, një nga titullarët e padiskutueshëm në formacionin e Lushnjës.

NGËRÇI
Në fillim të 2021-shit ai kërkoi të ndërpresë kontratën dhe të largohej për arsye personale nga ekipi. Pohon se nuk i kanë munguar ofertat gjatë kësaj periudhe, por tashmë e ka ndarë mendjen. Do të qëndrojë te Lushnja deri në mbyllje të sezonit dhe premton maksimumin. “Sikurse e kam thënë dhe më parë, unë kam kërkuar të largohem nga Lushnja për arsye personale. Kam kërkuar letrat, të ndërpres kontratën e të largohem. Në të vërtetë nuk më kanë munguar ofertat. Por, kam biseduar me drejtuesit e Lushnjës dhe kemi diskutuar disa probleme të vogla, që i kemi zgjidhur. Kështu, unë vendosa të qëndroj te Lushnja deri në përfundim të kampionatit. Tani synoj të kap shpejt formën, sepse gara zyrtare mund të fillojë të shtunën e ardhshme. Ndeshjet e para të fazës së dytë do të jenë përplasje të forta për Lushnjën dhe unë dua të jap maksimumin. Si përfundim, do të jem i Lushnjës deri në mbyllje të sezonit”, tha Hysa. 31- vjeçari ka rezultuar ndër më të mirët për verdhejeshilët në fazën e parë dhe qëndrimi i tij në ekip është një lajm i mirë. Skuadra vijon normalisht përgatitjet, ndërsa të mërkurën zhvilloi miqësoren e parë të vitit. Lushnja udhëtoi në Patos për t’u ndeshur me Albpetrolin, prej nga u kthye e mposhtur me shifrat 1-0.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"