Dinamo zhgënjen me sulmuesit anësorë, pesë lojtarë për vetëm… një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2022 | 14:03

Dinamo zhgënjen me sulmuesit anësorë, pesë lojtarë për vetëm… një gol

Përveçse ka mbrojtjen më të dobët të kampionatit, me 41 gola të pësuar, Dinamoja ka edhe sulmin më të dobët, me vetëm 16 gola të shënuar, më saktë 15, sepse njëri është autogol. Tregues të qartë që kanë ndikuar në rënien e shpejtë të skuadrës kryeqytetase nga Superiorja.

dinamo

Gjysmën e këtyre golave i ka shënuar kapiteni Agim Ibraimi, 7, i cili luan në pozicionin e fantazistit. Nga qendërsulmuesit, Çinedu ka realizuar 3 gola që në fazën e parë, kur ka shënuar edhe Skuka, i cili në janar kaloi te Partizani. Dështimi më i madh për Dinamon në këtë sezon kanë qenë sulmuesit e krahut apo ‘winger’-at, siç njihen tashmë në futbollin modern.

VETËM 1 GOL – Nga 5 sulmuesit e krahut që Dinamo ka pasur në organikë këtë sezon, ka ardhur vetëm 1 gol, ai i Redon Mihanës në Korçë ndaj Skënderbeut. Patrik Bardhi, që luan si sulmues i krahut të djathtë, nuk e ka gjetur akoma rrugën e rrjetës.

Për të duhet theksuar se shpesh është aktivizuar edhe mbrojtës i majtë. Rimal Haxhiu po ashtu nuk ka marrëdhënie aspak të mira me portën dhe ai ndoshta është lojtari që ka humbur më shumë raste në javët e fundit, kur ka luajtur rregullisht, në të dy krahët e sulmit.

Denison, i ardhur në merkaton e verës, një lojtar mjaft teknik, i qëndron shumë larg portës dhe kjo është një nga arsyet që Vanoli nuk e aktivizon. Gjatë gjysmës së parë të sezonit, pjesë e bluve ishte edhe Enis Gavazaj, i larguar në dimër pa shënuar asnjë gol me Dinamon.

Si sulmues krahu ish-trajneri Bledi Shkëmbi aktivizonte edhe Xhuljano Skukën, që shënoi një gol në Shkodër. Më shumë gola kanë shënuar dy qendërmbrojtësit, Sofranak dhe Imami (2 gola) se sulmuesit e krahut.

REXHINALDO – Probleme me golin ka edhe sulmuesi Rexhinaldo, i cili u mor në merkaton e dimrit për të zgjidhur ngërçin e repartit të avancuar. Në fillim ai mungoi për shkak dëmtimi, por javët e fundit afrikani po luan rregullisht. Edhe ai ka mbetur “thatë”, duke mos shënuar asnjë gol me fanellën e Dinamos, që pa golat e sulmuesve nuk kishte si të mbijetonte në Superiore.

FATION RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"