Dinamo, me tri mungesa në transfertën e Burrelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:36

Dinamo, me tri mungesa në transfertën e Burrelit

Dinamovitët pothuajse e kanë spostuar të gjithë vëmendjen te ndeshja e radhës dhe kanë harruar takimet e kaluara. Blutë tashmë janë të përqendruar te sfidat e fundit të fazës së parë për të marrë sa më shumë pikë. Në këtë ndeshje tekniku Dritan Mehmeti, përveç Ferrës, do të ketë edhe 2 mungesa: Muçën me Tragën, të cilët janë të penalizuar me kartonë. Kështu formacioni i kësaj jave do të ketë ndryshime, ndaj pritet një zhvendosje taktike e 11-shes. Megjithatë, Burreli nuk është ndonjë skuadër që hap probleme, por bën lojë të fortë. Por, blutë shkojnë vetëm për fitore në këtë takim. Për sa i përket skuadrës, kroati Matko Djarmati, i cili është një mesfushor me eksperiencë, analizon ecurinë e saj dhe ndeshjen e radhës. Për “Panorama Sport” kroati deklaron: “Humbja e fundit me Tërbunin na hapi shumë probleme. Gjatë gjithë takimit patëm kontroll loje. Shënuam ne të parët, kishim mundësi për një gol tjetër, por në fund rezultati foli ndryshe. Këtë ndeshje e kemi humbur si pasojë e lojës sonë të keqe. Tërbuni ka një ekip të mirë dhe e meritoi fitoren. Loja e kundërshtarit u duk më e mirë në fushë, sepse ne luajtëm keq. Nëse do të luanim mirë, do të fitonim”.
Burreli – “Unë nuk di asgjë dhe as informacion nuk kam për këtë ekip. Më pëlqen vetëm që fusha është e re dhe e mirë, ndërsa Dinamo do të dalë në lojën e vet, sepse do të ndikojë edhe terreni. Nuk mund të flas për Burrelin më tepër, pasi nuk e njoh aspak si ekip dhe asnjë nga lojtarët. Ne duam Superioren dhe shkojmë atje për fitore. Barazimi është humbje për ne, duke qenë se largohemi shumë nga vendi i parë”, – ka vazhduar Djarmati.
Mungesat – “Nuk kemi shumë futbollistë në skuadër, ndërsa kemi edhe tri mungesa: Muça, Ferra dhe Traga, të cilat janë shumë për ne. Madje, për Dinamon e këtyre ditëve një lojtar është shumë, jo tre, që janë katastrofë. Kemi stol të vogël, ndaj dhe mundësitë për zgjedhje janë të pakta. Nëse luajmë mirë, do t’ia dalim edhe pse me mungesa”, – përfundon kroati Djarmati.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"