“Dinamo ekip i ri? Edhe Vllaznia kështu ishte”, Eni Imami, i bindur: Fitojmë titullin brenda tre sezonesh!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2021 | 10:24

“Dinamo ekip i ri? Edhe Vllaznia kështu ishte”, Eni Imami, i bindur: Fitojmë titullin brenda tre sezonesh!

Eni Imami është dinamoviti më i vjetër në skuadrën aktuale. Në fakt, duke përjashtuar ata pak që kanë qëndruar nga ekipi i sezonit të kaluar, kur blutë ishin në Kategorinë e Parë, vetëm ai dhe portieri Edvan Bakaj kanë luajtur për Dinamon në të kaluarën. Imami ka qenë 3 herë pjesë e kësaj skuadre, për të veshur pastaj fanellat e Laçit, Teutës, Kukësit, Tiranës, Skënderbeut dhe Vllaznisë, dhe për t’u kthyer te Dinamo, si për të mbyllur ndoshta qarkun e karrierës së tij. Futbollisti 28-vjeçar do të mbajë peshën kryesore në qendër të mbrojtjes, bashkë me malazezin Sofranak.

eni imami

EKIP I RI – Imami flet me nota pozitive për skuadrën që Dinamo ka ndërtuar dhe sipas tij nuk ndikon aspak fakti që grupi është bërë thuajse nga e para. “Jemi një skuadër që është formuar gati nga e para, por kjo nuk do të thotë gjë. E them sinqerisht, mua më duket sikur kemi një jetë që luajmë bashkë dhe jo prej dy muajsh. Po marr një shembull të thjeshtë, Vllazninë, ku luajta sezonin e fundit.

Edhe ajo, sezonin që shkoi u ndërtua nga e para, por bëri një kampionat shumë të mirë dhe shkoi në Kupat e Europës. Ndoshta na ndihmoi pak shtyrja e kampionatit. Në çdo rast, për ne nuk do të jetë justifikim fakti që jemi skuadër e re.

Kemi luajtur ndeshje miqësore, ku janë bërë gabime, por gabime bëjnë edhe skuadrat me lojtarë që kanë shumë vite bashkë. Pastaj, jemi një grup lojtarësh, duke përjashtuar disa të rinj, që kemi përvojë të gjatë në kampionatin tonë”, u shpreh fillimisht mbrojtësi i bluve në bisedën për “Panorama Sport”.

FUTBOLL ME MENDJE – I pyetur se çfarë Dinamoje do të shohim në sezonin që nis pas pak ditësh, Imami thotë: “Një skuadër që luan futboll të bukur, futboll të rrjedhshëm. Mund të them se do të jetë një Dinamo që luan futboll me tru. Profesori ka bërë një punë shumë të mirë, askush në skuadër nuk e jep topin pa adresë. Kam luajtur ndeshjet miqësore dhe të them të drejtën e kam shijuar futbollin që luan Dinamo. Kemi një koncept të qartë loje. Kjo do të jetë pika jonë e fortë. Nuk dua të veçoj emra, ok dihet që Ibraimi është një lojtar me klas dhe eksperiencë, por Dinamo është një grup shumë i mirë në tërësi”.

TITULLI – Aktiviteti zyrtar ende nuk ka nisur dhe sigurisht është herët për të bërë parashikime, por Imami ka besim se Dinamo do të jetë pretendente serioze për titull. Ai është optimist, ndoshta jo aq sa presidenti Bardhi kur deklaron se brenda 3 vitesh Dinamo do të jetë kampione. “Duke parë përgatitjet që kemi bërë, grupin që kemi dhe ekipet e tjera, të paktën në emra, mendoj që luftojmë për titull. Po ta mendosh, një skuadër që sapo është ndërtuar të shkojë në Kupat e Europës është diçka shumë pozitive. E lidh prapë me Vllazninë… Brenda 3 vitesh besoj se do të fitojmë kampionatin dhe uroj që të shkojmë edhe në grupet e Champions-it, siç ka thënë presidenti”, – thekson 28-vjeçari.

MBROJTJA – Në fund, për repartin ku bën pjesë, Imami shprehet se blutë kanë disa “xhola” në përbërje. “Po, jemi dy qendërmbrojtës, unë dhe Sofranak, por edhe Samake që ka ardhur dhe luan në të majtë mund të bëjë qendrën. Edhe Sidibe, nëse nevojitet, mund ta bëjë”, mbylli lojtari i bluve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"