“Di ç’duhet të bëj me Apoloninë”, Longo: Luhet si finale, Flamurtarin e ngjisim në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 10:43

“Di ç’duhet të bëj me Apoloninë”, Longo: Luhet si finale, Flamurtarin e ngjisim në Superiore

Diego Longo nuk e cilëson aspak të lehtë ndeshjen e sotme me Apoloninë. Është takimi i parë i “play off”-it dhe italiani e cilëson si finalen e parë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Longo thotë se gjithçka është në dorën e vetë vlonjatëve.

longo

Italiani evidenton ndryshimet në skuadër nën drejtimin e tij. “Nuk ka ndeshje të lehta në këtë fazë që kemi mbërritur. Takimet e ‘play off’- it janë tepër të vështira, kështu që duhet të japim maksimumin tonë. Por nëse themi se është e vështirë për ne, atëherë është e pamundur për Apoloninë. Gjithçka është në dorën tone, vetëm duhet të japim 100% dhe të bëjmë atë që dimë. Skuadra është përgatitur për të dhënë më të mirën dhe për këtë gjë kemi punuar në këto ditë që kemi pasur në dispozicion”, shprehet fillimisht trajneri.

NDRYSHIMI – Longo shprehet gjithashtu se ekipi i tij ka ndryshuar dhe janë riparuar edhe disa problematika të vogla. “Ekipi është në një gjendje të mirë dhe u është përshtatur ideve të mia. Në seancat stërvitore, skuadra ka pasur angazhim maksimal. Kemi punuar shumë edhe për të riparuar problematikat e vogla që na janë shfaqur gjatë rrugës. Kështu që jemi gati për këtë ndeshje të parë. Situata në skuadër është e mirë dhe optimale. Ekipi ka ndryshuar dhe këtë gjë e vë re çdo ditë. Lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë, ndaj tashmë duhet të japim maksimumin tonë”.

SI FINALE – Italiani thotë se ky takim do të jetë finale, edhe pse është ndeshja e parë e “play off”-it. “Me Apoloninë është finalja e parë për ne. Natyrisht që e kemi vlerësuar edhe si të tillë. Jemi këtu bërë të dhënë më të mirën tonë. Na duhet që t’i kalojmë me sukses këto ndeshje të ‘play off’- it dhe për të menduar pastaj për finalen. Por ndeshjet do t’i marrim me radhë dhe duhet t’i kalojmë me sukses. Çdo ndeshje për ne është finale. Duhet angazhim maksimal për të realizuar objektivin që ne kemi. Duam që ta çojmë Flamurtarin në Superiore. Ky është objektivi që na impenjon të gjithëve”, shprehet Longo.

APOLONIA – Trajneri Diego Longo thekson se ka studiuar kundërshtarin për të mos u kapur në befasi. Ai ka besim te mentaliteti fitues i lojtarëve të tij. “Unë e njoh shumë mirë Apoloninë. E di që ata nuk futën asnjë lojtar katër ditë më parë nga organika kryesore e tyre. Natyrisht që kundërshtarët përpiqeshin të fshihnin diçka. Të them të drejtën unë e kam studiuar mirë atë skuadër edhe në ndeshjet e tjera që ata kanë luajtur në mënyrë që të mos të na befasojnë. Kam besim të plotë te lojtarët e mi dhe mentaliteti i tyre fitues”, përfundon prononcimin e tij trajneri Longo.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"