“Dështuam prej stadiumit dhe gjykimit”, Bizhdili bën bilancin: Me rivalët na mohuan penallti, do të ketë largime nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2021 | 23:29

“Dështuam prej stadiumit dhe gjykimit”, Bizhdili bën bilancin: Me rivalët na mohuan penallti, do të ketë largime nga ekipi

Besa dështoi për të gjashtin vit radhazi. Kavajasit u futën në garë me objektivin e vetëm atë të rikthimit në elitë, por në fund siguruan vetëm qëndrimin. Verdhezinjtë e mbyllën kampionatin në vendin e 4-t dhe sipas Nexhat Bizhdilit, shkaqet që e çuan ekipin në këtë pikë janë disa.

Bizhdili

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti sqaron se mungesa e stadiumit, gjykimi dhe mosha e re e lojtarëve i lanë edhe një vit në Kategorinë e Parë.

Një tjetër sezon i dështuar, çfarë nuk shkoi si duhet?

Një lajm i keq së pari për mua dhe kontributet e mia e të Bashkisë Kavajë, të cilën dua ta falënderoj që na ka qëndruar gjithmonë pranë. Më së shumti më vjen keq për tifozët, të cilët u zhgënjyen. Mund t’ju them vetëm se ne kemi trajtuar me paga, akomodim, ushqim e fjetje mbi 12 futbollistë jabanxhinj dhe besoj se nuk është një kujdes i vogël ky. Pra, nuk është se nuk kemi investuar që në fillim në kushtet bazë për të pasur sukses, pa folur për ato të stërvitjes dhe merkaton.

Atëherë, përse dështuat?

Janë disa arsye, por po radhis më kryesoret. E para, mungesa e stadiumit tonë dhe në futbollin shqiptar e dini se fusha jote ka ndikim jo të vogël. Luajtëm në fushën e stadiumit të Luzit, në një fushë me probleme, çfarë na detyroi që disa ndeshje shtëpiake t’i luanim në Pezë. Së dyti, duke investuar për të ardhmen, afruam, mbështetëm e aktivizuam mbi 60% të formacionit të ekipit, talente të reja nga 17 deri 20 vjeç në përvojën e tyre të parë si titullar.

Ata në disa sfida nuk e përballuan ashtu si duhej presionin psikologjik, duke gabuar në situata kritike. Me këtë nuk po them se ishin ata shkaktarët e dështimit. Tashmë ata kanë mbi supe një kampionat më shumë dhe përbëjnë një investim serioz për të ardhmen tonë.

Humbët në përballjet direkte me rivalët, nuk ndikoi kjo në rrëshqitjen në klasifikim?

Nuk është e vërtetë. Besa nuk dështoi në asnjë përballje me rivalët, por djersa jonë na u mohua nga gjyqtarët. Ju si gazetarë, por edhe dhjetëra drejtues prezentë në stadium kanë parë se si në disa përballje, si ajo me Egnatian, Tomorin, Lushnjën e të tjera ekipe, na kanë mohuar penallti të pastra e shkatërruar lojën tonë, prishur ritmin, saktësinë dhe duke dhënë vendime të njëanshme.

Në asnjërën prej takimeve me rivalët, Besa nuk ka qenë inferiore. Përkundrazi, ka dominuar takimet me raste flagrante shënimi. Pamjet e 90 minutave i shihni e do më jepni të drejtë. Këto fakte i kemi bërë publike më se një herë, por fatkeqësisht penalizimet ndaj nesh kanë vijuar.

Mjaftojnë këto elemente për të përligjur dështimin?

Nëse me gjyqtarët kundër beson se do t’ia dalësh, e keni gabim. Unë e thashë më lart, që kemi pasur edhe ne gabimet tona, por ato nuk janë arsyeja e vërtetë e dështimit tonë. E ritheksoj se kemi merituar shumë më shumë fitore e pikë, bazuar në atë çfarë kemi dhënë në fushën e lojës.

Do të ketë largime apo afrime te Besa?

Sigurisht që do të ketë si largime, ashtu edhe afrime. Është herët të flas me emra konkretë, pasi siç e dini, krahas lojtarëve me kontrata 3 dhe 5-vjeçare, kemi nga ata që u skadon në maj. Me disa prej tyre jemi duke biseduar për rinovim dhe prandaj nuk mund t’ju jap emra konkretë sot. Në vijim, besoj do të keni të reja dhe emra konkretë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"