Dështoi me të huajt, por Apolonia fiksohet me një sulmues nigerian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 22:36

Dështoi me të huajt, por Apolonia fiksohet me një sulmues nigerian

Me misionin “Superligë” Apolonia ka startuar përgatitjet dimërore më 4 janar. Trajneri Mërgjyshi dhe stafi i tij kanë pasur të gatshëm gjithë grupin, me përjashtim të të dëmtuarve Sharavolli dhe Smaçi. Duhet theksuar se me ekipin e parë janë bashkuar edhe shumë lojtarë të akademisë fierake, i fundit sulmuesi 19-vjeçar Redjan Kardhashi, i huazuar tek Albpetroli pjesën e parë të sezonit. 

Apolonia Elbasani

Tre të rinjtë e testuar në miqësoren e fundvitit me Bylisin, Endri Rrahmani, Franc Marinaj dhe Fabion Bajramaj, nuk kanë bindur me paraqitjen e tyre dhe kanë bërë “prapakthehu”. Trajneri Mërgjyshi thekson se nevojat më emergjente të skuadrës së tij janë në mbrojtje dhe sulm.

Rritja e konkurrencës në ofensivë, sipas Mërgjyshit, do të ishte pozitive. “Kjo nuk do të thotë se përjashtojmë përforcime në reparte të tjera, nëse na krijohen mundësi të mira në merkato. Largime? Absolutisht jo, edhe pse nuk mungojnë kërkesat për lojtarët tanë. Duam ta ruajmë me fanatizëm këtë grup që e kemi krijuar me jo pak mundim dhe ta përforcojmë më tej për të vijuar me dinjitet përfaqësimin dhe objektivat tanë në këtë kampionat”, thotë për “Panorama Sport” trajneri Artan Mërgjyshi.

TREGU I HUAJ, DËSHTIM I PLOTË – Duke iu referuar së paku këtij sezoni, Apo lonia ka qenë aktive qysh në periudhën verore, pa filluar kampionati, pavarësisht se çfarë arriti. Është synuar në të gjitha pistat për të krijuar një ekip prestigjioz, me lojtarë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

devolli-apolonia

Dhe jo pak, por plot 7 futbollistë të huaj janë testuar tek Apolonia gjatë këtij sezoni, konkretisht Abraham Xhon Ekeleme (Nigeri), Abdulxhabar Etudaije (Nigeri), Frank Valeri Boni (Kamerun), Dankuan King (SHBA), Hoze Andres Salazar Maskuera (Ekuador), Shekumor Baraxhi (Francë) dhe Benet Ofori Ansu (Ganë). Të gjithë kanë rezultuar dështim i plotë. I vetmi që pati luksin e nënshkrimit të kontratës pa ardhur ende në Fier qe ganezi Benet Ofori Ansu, të cilin vetë fierakët e kanë quajtur “dështimin më të madh në merkato”.

Megjithatë, Apolonia sërish i ka sytë drejt tregut të huaj, e detyruar mbase nga mundësitë e limituara që ka aktualisht tregu shqiptar. Trajneri Mërgjyshi, pavarësisht nevojave që ka skuadra, e ka deklaruar qartë se nuk do të bëhen më gabimet e së shkuarës, nuk do të merren lojtarë të panjohur. Apolonia pretendon një merkato sa më cilësore dhe këto ditë pritet të mbërrijë në Fier një mbrojtës i majtë francez, që do të kalojë në “filtrin” e Mërgjyshit.

TELENOVELA “EJOH” – Efiong Ejoh është një dëshirë e hershme dhe një “telenovelë” pa fund për fierakët. Nigeriani ishte pranë nënshkrimit me Apoloninë edhe dimrin e kaluar, por në fund ai devijoi te Besa. Pjesën e parë të këtij sezoni është aktivizuar me Shkumbinin dhe pas përjashtimit të peqinasve, fierakët janë rifutur në tratativa me 23- vjeçarin.

ejoh

Nigeriani vazhdon me të njëjtën metodë, “tërhiq e mos e këput”, duke premtuar dhe njëherësh shtyn vendimin, duke bërë që fierakët të humbin durimin dhe të mos presin gjatë. Të huajt e fundit që kanë luajtur për Apoloninë, kanë qenë serbët Jovanoviç dhe Vladisavljeviç, të ardhur janarin e sezonit të kaluar, kur bardhejeshilët drejtoheshin nga trajneri Rade Miliç, edhe ky nga Serbia.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"