“Dënim” për humbjen, Dinamo në fushë deri më 31 dhjetor/ Dede i shqetësuar nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2022 | 23:35

“Dënim” për humbjen, Dinamo në fushë deri më 31 dhjetor/ Dede i shqetësuar nga…

Dinamo do ta vazhdojë stërvitjen deri pak orë para ndërrimit të viteve. Blutë do të zbresin në fushë edhe më datë 31 dhjetor, pasi kështu ka vendosur stafi teknik i skuadrës kryeqytetase. Një vendim që duket se i ka befasuar pak futbollistët, të cilët prisnin pak më shumë ditë pushimi.

Dinamo

“DËNIMI”

Po pse ky vendim, kur Dinamo kryeson renditjen dhe nuk ka ndonjë emergjencë? Gjithçka duket se ka të bëjë me humbjen e fundit në kampionat ndaj Tërbunit, që stafi teknik e ka pasur të pamundur ta përtypë.

Ishte një disfatë, që ka lënë një shije shumë të keqe në radhët e drejtuesve të Dinamos dhe vendimi për ta vazhduar stërvitjen deri ditën e fundit të vitit është një lloj ndëshkimi për ekipin.

Blutë nuk mundën të përfitonin nga ndalesa e Flamurtarit për t’u shkëputur më shumë prej tij në tabelën e renditjes. Dinamo pësoi një gol në minutat e fundit, që i shkaktoi humbjen e dytë në këtë kampionat, duke prishur humorin që kishin sjellë fitoret radhazi.

EGOIZMI

Dinamo nuk bëri një ndeshje të mirë në Pukë, por gjithsesi arriti të krijonte disa raste shënimi në pjesën e parë. Mundësi që nuk u shfrytëzuan si duhet edhe për shkak të egoizmit të lojtarëve të sulmit. Në një rast flagrant Denison nuk preferoi të pasonte për Markun, që ishte me portën e boshatisur.

Dede

Veprime që e kanë irrituar jo pak trajnerin Nevil Dede, i cili mësohet se i ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj të tijve pas përfundimit të ndeshjes. Gjë që nuk e kishte bërë deri tani. E gjithë kjo shpjegon në njëfarë mënyre edhe vendimin që skuadra të stërvitet deri më 31 dhjetor. Një vendim për t’ua bërë të qartë futbollistëve se në radhë të parë janë interesat e skuadrës dhe klubit, pastaj ato personale.

Dy sulmuesit titullarë të Dinamos, Hoze Denison dhe Taulant Marku, janë në garë edhe për “Këpucën e Artë”. Braziliani ka shënuar 7 gola deri tani, ndërsa pukjani 11. Në ndeshjet e mëparshme ata kanë qenë pak më altruistë, ndërsa në Pukë situata ishte ndryshe dhe u ka kushtuar atyre dhe gjithë skuadrës stërvitje deri ditën e fundit të vitit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"