“Dëmtimi ëndërr e keqe”, talenti Emini: Jam gati për Bylisin e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 22:08

“Dëmtimi ëndërr e keqe”, talenti Emini: Jam gati për Bylisin e Superiores

Te Bylisi pritet që të vënë pikat mbi “i” në disa aspekte dhe skuadra të zbresë në fushë për të nisur fazën përgatitore verore. Në këtë vit jubilar, 50-vjetori i themelimit të klubit, mallakastriotët garojnë në Superiore dhe duan që të lënë gjurmë. Një nga zbulimet e sezonit të shkuar është Serxhio Emini.

Emini

19-vjeçari nga Saranda ka debutuar që para dy vitesh me Bylisin në Superiore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Emini tregon se e ka lënë pas dëmtimin nga edicioni i fundit dhe shpreson të jetë gati kur të fillojë faza përgatitore.

“Dëmtimi ka qenë si një ëndërr e keqe sepse isha në kulmin e formës sime dhe për më tepër po luaja titullar në ekipin e parë, ku shënova edhe 4 gola. Por futbolli kështu e ka, me surpriza të këndshme dhe të hidhura, për mua është e rëndësishme që e kam kaluar atë problem dhe po përgatitem me një program specifik rikuperues. Më ka munguar shumë fusha dhe jam mërzitur pak, por ndeshjet e fundit të sezonit isha afër skuadrës dhe shijova suksesin bashkë me shokët.

Emini5

Tani me padurim pres që të bashkohem me skuadrën dhe të nis përgatitjet për sezonin e ri. Dua që të rritem te Bylisi, të punojmë dhe në Superiore duke qenë me ‘këmbë në tokë’. Duam që të lëmë gjurmë dhe të mbijetojmë me futboll të bukur e sigurisht të promovojmë edhe veten tonë”, u shpreh Serxhio Emini. Ndërkohë që Bylisi shumë shpejt pritet që të përcaktojë edhe programin stërvitor për sezonin e ri, teksa në Ballsh nuk përjashtohet mundësia që të mbërrijë edhe ndonjë prurje e re në startin e fazës përgatitore.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"