Dëmtim në muskujt e barkut, Ilieski tremb Flamurtarin. Vucaj edhe dy javë jashtë ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 19:38

Dëmtim në muskujt e barkut, Ilieski tremb Flamurtarin. Vucaj edhe dy javë jashtë ekipit

Antonio Ilieski frikëson Flamurtarin. Qendërmbrojtësi nuk po stërvitet prej ditësh, për shkak të një problemi me muskujt e barkut. Ndërsa nuk dihet ende se sa do të qëndrojë larg fushave, pasi fillimisht pritet që të kryejë rezonancën dhe të marrë diagnozën.

ILIESKI

Dyshimet e para flasin për pubalgji. Gazeta “Panorama Sport” mëson se mjekët e ekipit kanë dalë në këtë konkluzion, por sërish nuk duan që të nxitohet. Maqedonasi është këshilluar të pushojë këtë kohë. Pritet që këtë javë të bëjë rezonancën magnetike për t’u njohur me situatën reale. Gjasat janë që rikuperimi të jetë i gjatë. Megjithatë, në Vlorë shpresojnë të mos ketë pasoja të rënda për Antonio Ikieskin. Ai erdhi në qytetin bregdetar si një blerje cilësore, ndërsa sezonin e shkuar luajti për Kukësi në Superiore. 27- vjeçari ka një eksperiencë të gjatë në Maqedoni, ky është aktivizuar te skuadrat Makëdonijas, Gostivarit, Korabi të Dibrës apo edhe Renova.

VUCAJ

Shqetësime ka edhe për Erjon Vucajn. 32-vjeçari u dëmtua më 24 shtator në ndeshjen me Vorën, që u luajt në Vlorë. Pas një përplasjeje me Tabakun, shkodrani la fushën pas vetëm 4 minutave lojë. U mendua se nuk kishte ndonjë problem serioz, por pas ekzaminimeve u arrit në konkluzionin se dëmtimi në gju ishte për t’u vlerësuar dhe që do ta lërë më shumë se një muaj jashtë fushës. Aktualisht shkodrani ka nisur vetëm vrapimet e lehta. Por, nuk është ende gati. Gjasat janë që t’i duhen edhe dy javë të tjera rikuperim, ndërsa ende nuk mund të thuhet me siguri se kur mund të jetë në fushë.

AXHENDA

Flamurtari ndryshon axhendë. Një njoftim për spostimin e ndeshjes së Kupës së Shqipërisë nga e mërkura në të martën, ka ndryshuar planet. Dje skuadra duhet të bënte pushim, por nuk ndodhi kështu. Vetëm nesër do t’u duhet të zbresin në fushë për të luajtur turin paraeliminator kundër Luftëtarit, ndaj dje dolën në stërvitje. Ndërsa të dielën kuqezinjtë luajnë në shtëpi një ndeshje tejet delikate për llogari të kampionit. Ata do të presin Elbasanin dhe një fitore që do t’i afronte me pretendimet.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"