Dedja sherr me mbrojtësin pas deklaratës në Panorama Sport: Kështu nuk punohet, po iki!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 11:39

Dedja sherr me mbrojtësin pas deklaratës në Panorama Sport: Kështu nuk punohet, po iki!

Lushnja në kaos total, Hysen Dedja jep dorëheqjen një ditë pasi ra dakord me kryebashkiakun Fatos Tushe për vazhdimin në pankinë deri në fund të sezonit. Me sa duket, mbledhja e bërë të martën nuk ka dhënë efekt, sepse dje situata te Lushnja ka vijuar të mbetet e tensionuar.

“Panorama Sport” mëson se, para se të fillonte seanca e djeshme stërvitore, trajneri Dedja i ka kërkuar llogari mbrojtësit Alban Byzhyti për prononcimin në “Panorama Sport” tri ditë më parë, lidhur me mosaktivizimin e tij, që nga momenti kur shkodrani mori drejtimin e Lushnjës. Pas debatit me futbollistin lushnjar, trajneri Dedja është larguar nga stadiumi “Roza Haxhiu”, duke u përshëndetur me lojtarët. I kontaktuar nga gazeta, ai ka dhënë versionin e tij të ngjarjes para seancës së të mërkurës. “Isha bashkë me ekipin në fushë për drejtimin e stërvitjes.

Dedja2

Vjen pak me vonesë Byzhyti dhe i them që të shpejtojë. Ai më përgjigjet se ‘kam tre muaj që nuk luaj dhe nuk kam arsye të nxitoj’. I kam thënë me shumë qetësi që, nëse je më i mirë nga Premçi, Bufasi apo Mone, jam gati të të aktivizoj në ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Situata është tensionuar, nuk kishte qetësi dhe nuk mund të bëhet stërvitje në ato kushte. Unë kam dhënë menjëherë dorëheqjen, sepse nuk mund të pranoj një situatë të tillë”, ka thënë Dedja, i cili këtë herë nuk ka ndër mend të bëjë prapakthehu.

BIZHYTI

Për gazetën foli edhe mbrojtësi Byzhyti, duke dhënë versionin e tij për incidentin e djeshëm. “Para se të fillonte seanca stërvitore, trajneri Dedja më ka kërkuar llogari për prononcimin tim në gazetën tuaj, ku unë kam shpjeguar arsyet e mosaktivizimit që nga koha kur ai mori drejtimin e Lushnjës. Pas debatit, trajneri Dedja është larguar i mërzitur nga stërvitja. Është mërzitur me veten, nuk e di se çfarë ka. Trajnerët nuk i vendos Alban Byzhyti dhe nuk jam unë shkaku që trajneri është mërzitur me veten e tij. Detyra ime është të stërvitem dhe të jem i gatshëm”, është shprehur dje “veterani” lushnjar.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"