“Trajneri nuk më aktivizon se jam nipi i Artan Banos” – mbrojtësi lushnjar shpërthen ndaj Dedjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 10:33

“Trajneri nuk më aktivizon se jam nipi i Artan Banos” – mbrojtësi lushnjar shpërthen ndaj Dedjes

Qendërmbrojtësi lushnjar, Alban Byzhyti, një nga “veteranët” e skuadrës verdhejeshile, ka shpjeguar për gazetën “Panorama Sport” arsyet e mosaktivizimit te Lushnja prej një kohe të gjatë. Mbrojtësi i njohur, që muajin e ardhshëm do të mbushë 34-vjeç, nuk ka luajtur për asnjë minutë në kampionat që në momentin kur drejtimin e skuadrës e mori tekniku Hysen Dedja.

Byzhyti

“Po është e vërtetë që nuk jam aktivizuar për arsyen që ma ka thënë vetë trajneri Dedja duke më komunikuar se nuk kishte besim tek unë, pasi jam nipi i ish-trajnerit Artan Bano. Një gjë të tillë nuk e mohoj, përkundrazi, është e vërtetë që jam nipi i tij dhe jam krenar për këtë. Por, investimet e mia në futboll prej shumë vitesh nuk mund t’i hedhë poshtë as trajneri Dedja dhe askush tjetër. Gjithsesi, unë i kam pranuar vendimet e trajnerit, por kjo nuk do të thotë se nuk kam më forcë që të kontribuoj për ekipin e qytetit tim, gjë të cilën e kam bërë për 16-vite duke treguar se kush jam”, është shprehur Byzhyti.

Futbollisti ka folur edhe në lidhje me akuzat e bëra nga koordinatori Artur Çobani në lidhje me lojtarët që janë në përbërje të skuadrës. “Ne nuk e njohim dhe nuk na e kanë prezantuar se kush është. Kur ne luanim pa lekë për Lushnjën, Artur Çobani ishte refugjat. Mos të na e tregojë futbollin në Lushnjë sepse nëse jemi në këtë gjendje sot, jemi në sajë të Artur Çobanit. Për arsyen e thjeshtë se ka futur hundët aty ku nuk i takon. Mos të dalë nëpër gazeta për të bërë rolin e opinionistit”, ka mbyllur Byzhyti deklaratën e tij. Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"