Dede, në hall prej “labëve”. Klubi vendosi “ultimatum” 4 fitore radhazi, skuadrën e favorizon vetëm… kalendari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2023 | 18:51

Dede, në hall prej “labëve”. Klubi vendosi “ultimatum” 4 fitore radhazi, skuadrën e favorizon vetëm… kalendari

Elbasani luan të dielën me Tomorin vetëm për fitore. Çdo rezultat tjetër do të konsiderohej dështim dhe mund të sillte penalitete në skuadër. Ultimatum i drejtuesve janë 12 pikët në katër ndeshjet e radhës, vendos para përgjegjësisë verdheblutë. Humbja me Flamurtarin është lënë vërtet pas krahëve, por kthesa është domosdoshmëri.

dede elbasani

Drejtuesit kanë menduar që këtë sfidë ta luajnë në mbrëmje, në orën 17:00, duke shpresuar që të vazhdojë tradita e mirë e ardhjes së tifozëve. Edhe pse janë të zhgënjyer, sërish pritet që të mos e lënë në “baltë” skuadrën.

DËMTIMET Nëse humbja me Flamurtarin është lënë pas, pasojat e atij 90-minutëshi do të ndihen të paktën edhe në ndeshjen e radhës. Thuhet kështu, pasi në sfidën me vlonjatët u dëmtuan dy lojtarë, pikërisht “labët”. I pari është Bruno Telushi, që la fushën pas vetëm pesë minutash lojë. Një ndërhyrje që mori, e detyron që të mos japë kontributin e tij për javën e 9-të. Mesfushori i adaptuar si qendërmbrojtës këto kohë, me shumë gjasa do të duhet të bëjë disa ditë pushim dhe ndeshjen me Tomorin mund ta konsiderojë të humbur.

Shqetësime ka pasur edhe për mbrojtësin Hektor Idrizaj, i cili nuk është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit dhe ulen ndjeshëm shanset që të jetë i gatshëm të dielën. Dy mungesave u bashkohet edhe vlonjati tjetër, Ardit Hoxhaj. Sulmuesi vijon të mungojë për shkak të problemeve me muskujt e barkut. Një dhimbje koke më vete për Nevil Deden, i cili duhet të bëjë pa tre titullarë dhe të ndryshojë jo pak për sfidën e kësaj fundjave, për më tepër që nuk lejohet asnjë hap fals.

KALENDARI Për t’u rikthyer te 12 pikët ultimatum të klubit, mësohet se jo gjithçka ka ardhur pa arsye. Thuhet kështu, pasi kalendari mund të cilësohet disi i favorshëm. Nga katër ndeshje në total, tri do t’i luajnë në “Elbasan Arena” dhe vetëm një jashtë. Në shtëpi, përveç beratasve këtë javë, verdheblutë do të presin më pas Bylisin kryesues dhe Kastriotin, përballje që përkon me ndeshjen e parë të fazës së dytë.

Sa i përket takimit në transfertë, është ai ndaj Luzit 2008, kundërshtar që aktualisht është në vendin e fundit. Me pak fjalë, katër fitore janë më se të mundshme për verdheblutë, ndaj edhe është caktuar ky objektiv.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"