Debutimi si titullar në Champions, Kristjan Asllani: Interi nuk fal më, tani e ka radhën Juventusi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 12:48

Debutimi si titullar në Champions, Kristjan Asllani: Interi nuk fal më, tani e ka radhën Juventusi!

Kristjan Asllani e ka dëgjuar për herë të parë në fushë himnin e Champions League.

ASLLANI 1

Ndaj Bajernit, elbasanasi debutoi si titullar në Europë me fanellën zikaltër, një debutim që zgjati për 90 minuta të plota, duke i dhënë mundësinë mesfushorit të thotë fjalën e tij përballë gjermanëve, edhe pse skuadra nuk arriti të triumfonte.

“Kjo fazë grupesh ka qenë emocionuese dhe e vështirë dhe të gjithë ne donim ta mbyllnim me një fitore, por nuk i arritëm. Përballë kishim një rival vërtet të fortë dhe nuk arritëm t’i shënonim, por gjithsesi u kualifikuam dhe kjo është ajo që në fund ka rëndësi dhe na lumturon”, e nisi fjalën e tij për mikrofonat e klubit 20-vjeçari, që ishte ndër protagonistet e skuadrës mbi të gjitha me kilometrat e shumtë të përshkuar.

ASLLANI 2

BARÇA DHE JUVE – “Nëse më duhet të veçoj diçka, në të cilën kemi qenë vërtet të zotë në këtë fazë grupesh, do të ishte të qenit të bashkuar.

Mbi të gjitha e kemi bërë këtë në ndeshjen në shtëpi ndaj Barçës, që ishte shumë e rëndësishme për fatet e grupit”, tha numri 14 i zikaltërve, mbi episodin që sipas tij ndikoi në fatet e grupit, ndërkohë që nuk harroi të sfidonte edhe Juventusin, kundërshtarin e ardhshëm në kampionat, ku përveç tri pikëve do të jetë përsëri në lojë prestigji, ashtu si ndeshjen e mbrëmshme.

“Nga nesër (sot) do të punojmë për Juventusin, e dimë që nuk mund të humbasim më pikë në kampionat dhe nuk na lejohet ta bëjmë këtë”, ishte sfida e Asllanit për bardhezinjtë.

Përgatit: NISLI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"