Data e asamblesë, KOKSH: Amulli e krijuar me dashje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 19:41

Data e asamblesë, KOKSH: Amulli e krijuar me dashje

Në një kohë kur ka një çështje penale në prokurori dhe abuzime të denoncuara nga vetë protagonistët e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, konflikti dhe përplasjet në KOKSH vijojnë e këtë herë gjithçka ka të bëjë me asamblenë statutore. Siç dihet, rreth një muaj më parë, presidenti Viron Bezhani kishte njoftuar datën 1 shtator 2020 për mbajtjen e asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme me rend dite:

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

Diskutime dhe zgjedhja e dy anëtarëve të komisionit teknik për ndryshimet statutore si propozime të asamblesë së KOKSH, në përputhje me rezolutën e datës 09.02.2020. Bezhani ishte shprehur se kishte marrë kërkesë nga një pjesë e federatave që diskutimi dhe votimi për anëtarët e komisionit teknik që do të merren me përgatitjen e ndryshimeve statutore të bëhej në sallë dhe jo “online” apo me e-mail.

Ndërsa edhe një herë tjetër kishte akuzuar disa anëtarë në komitetin ekzekutiv, të cilët në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm, Stavri Bello, sipas tij, po tentonin të manipulimin e procesin e përzgjedhjes së dy anëtarëve të komisionit teknik për ndryshimet statutore.

Lidhur me këtë çështje Komiteti Olimpik ka reaguar nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, ku sqaron federatat anëtare se çdo njoftim i marrë në rrugë jozyrtare nga KOKSH nuk vlen, ndërsa thekson se komiteti ekzekutiv nuk ka marrë asnjë vendim për mbajtjen e asamblesë së jashtëzakonshme.

Ja njoftimi i plotë i publikuar në faqen zyrtare të KOKSH:

“Sqarim për anëtarët e asamblesë së KOKSH Të nderuar anëtarë, Referuar amullisë të krijuar me dashje për shkak të komunikimeve që mund të keni marrë për zhvillimin e ndonjë asambleje të jashtëzakonshme për datën 1 shtator 2020, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ju sqaron se:

– Çdo informacion apo njoftim që mund të merrni jashtë adresës zyrtare të e-mail të KOKSH është jo i rregullt.

– Komiteti ekzekutiv i KOKSH nuk ka marrë asnjë vendim për mbajtjen e ndonjë asambleje të jashtëzakonshme.

– Rezoluta në fuqi e KOKSH e dakordësuar më 09.02.2020, në pikën 2 të saj citohet qartë hierarkia vendimmarrëse dhe se çdo vendim i njëanshëm që merret jashtë vendimmarrjes së organeve drejtuese të KOKSH është i pavlefshëm.

2. Organet drejtuese dhe hierarkia vendimmarrëse duhet të respektohen si më poshtë:

a. Asambleja e përgjithshme si organi suprem vendimmarrës;

b. Komiteti ekzekutiv. Askush, duke përfshirë presidentin ose ndonjë zyrtar/ anëtar tjetër i komitetit ekzekutiv, nuk mund të marrë vendime individuale ose të njëanshme dhe të gjitha vendimet e marra nga organet drejtuese të përmendura më lart duhet të respektohen.

Në linjë me këtë çështje është shprehur edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me anë të komunikimit me e-mail të cilin e gjeni bashkëngjitur (origjinali në anglisht dhe të përkthyer në shqip)”, shkruhet në deklaratën e publikuar në faqen e Komitetit Olimpik Kombëtar Kombëtar.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"