Daja “shkund” Flamurtarin: Mos luani si të trembur në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 11:53

Daja “shkund” Flamurtarin: Mos luani si të trembur në fushë

Ilir Daja bëhet sërish “psikolog”. Trajneri ka zhvilluar një analizë të detajuar pas humbjes me Partizanin. Ai pret që të ndryshojë manovra, por u kërkon të tijve që të mos futen më si të trembur në fushë. “Kemi ende problem në konsolidimin e manovrës. Jemi një grup i ri, por kjo nuk do të thotë që të luajmë dobët dhe të palidhur me njëri-tjetrin. Unë vijoj ende që të shikoj një gjë shqetësuese te ju.

daja

Ajo që mua më shqetëson, është se nuk keni besim tek aftësitë tuaja. Nuk duhet të hyni në fushë të trembur, pasi ne nuk mund që të respektojmë më shumë kundërshtarin se vetja. Ne duhet të ecim me kokën lart dhe të vendosur se ne jemi më të mirët se çdo kundërshtar tjetër. Unë e di që ne jemi një grup i ri dhe se gjithçka do kohën e vet, por nuk duhet të presim gjatë, pasi na duhet që të marrim dhe grumbullojmë sa më shumë pikë.

Ne duhet të kemi besim në vetvete dhe të tregojmë se jemi në gjendje që të bëjmë gjëra të mëdha dhe që i përkasin pjesës së sipërme të tabelës. Duhet të vlerësojmë më shumë veten tonë dhe jo kundërshtarin. Gjëja më kryesore është që ju të keni besim në aftësitë tuaja. Nëse e arrini këtë gjë, do ta kemi më të lehtë që të ecim përpara”, mësohet të ketë thënë fillimisht trajneri.

ilir daja

Taktika – Daja foli para ekipit edhe teknikisht, ndërsa gjatë u ndal te gabimet e mbrojtjes dhe sulmit:  “Në ndeshjen me Partizanin ne ishim dobët vetëm në 20 minutat e para të takimit kur pësuam edhe golin. Mbrojtja duhet që të kishte bërë më mirë në atë ndeshje. Kam rezerva për mbrojtjen, por ashtu sikundër edhe për lojtarët e tjerë, pasi një ekip nuk varet vetëm nga mbrojtja. Duhet të jemi në union dhe të komunikojmë mirë dhe saktë në të gjitha repartet, portë, mbrojtje, mesfushë dhe sulm.

Sulmuesit duhet që të zbatojnë detyrat, por edhe të shënojnë, pasi për atë punë janë. Por ne jemi të rinj dhe golat i presim nga të gjithë. Ishim jo të mirorganizuar deri në pësimin e golit. Ne të gjitha situatat e rrezikshme në portën tonë i krijonim vetë. Humbisni topa në mënyrë qesharake dhe shumë lehtë. Kundërshtari kishte merita, por ju e mbivlerësuat më shumë nga çfarë ai është”.

Flamurtari Daja

Kthesa – Ilir Daja ka kërkuar kthesën e menjëhershme të ekipit. Gjithçka duhet që të ndryshojë që nga ndeshja me Kastriotin. Sipas Dajës, një tjetër humbje do të ishte fatale. “Duhet që të bëjmë kthesën në mënyrë të menjëhershme. Nuk na falen gabimet në ndeshjen me Kastriotin. Duhet vetëm fitorja dhe nuk duhet të diskutojmë asnjë rezultat tjetër. Pritshmëritë janë të mëdha, si nga drejtuesit ashtu edhe nga tifozët. Ne luajmë me zemër, dhe në këtë ndeshje të radhës nuk duhet të gabojmë, pasi një tjetër humbje do të ishte fatale dhe do të ndikonte shumë negativisht. Ju duhet të jeni të qetë profesionalisht dhe të respektoni më shumë veten tuaj sesa kundërshtarin”, përfundon Daja.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"