Cikalleshi flet pas kalimit te skuadra e re: Kisha disa oferta, tani pres me padurim golin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 21:05

Cikalleshi flet pas kalimit te skuadra e re: Kisha disa oferta, tani pres me padurim golin e parë

Sokol Cikalleshi arriti të realizonte një transferim me peshë në këtë fund-merkato, teksa u zyrtarizua përsëri në Superligën turke, e ku do të jetë i huazuar nga Osmanlispori, për një sezon tek Goztepe. Në një intervistë për “Telesport”, kavajasi thotë fjalët e para për këtë transferim, si dhe atë që pret nga ky sezon.

cikalleshi

OFERTAT – “Duke qene se Osmanlispori ra nga kategoria, doja të gjeja gjuhën e përbashkët me drejtuesit për t’u larguar dhe njëkohësisht kisha disa kërkesa nga ekipe si Goztepe, Akhisar dhe Bursaspor, por edhe nga Arabia Saudite! Diskutimet ishin të shitesha apo huazim dhe në fund u vendos për t’u huazuar, pasi kartoni im është i shtrenjte dhe klubet nuk gjetën gjuhën e përbashkët për shitje! Doja që në fillim Goztepen, pasi është klub i shëndetshëm dhe me siguri ka një të ardhme të ndritur”.

KALIMI TE GOZTEPE– “Kishte ditë që isha në bisedime me Goztepen dhe ekipe te tjera, por në fund vendosa për Goztepe sepse kjo ishte dëshira ime që në fillim, por edhe më ofroi kushte shumë të mira. Po pres me padurim të jem në fushë dhe të shënoj golin e parë! Ka qene një periudhë e gjate bisedimesh për transferim apo huazim dhe në fund u vendos për huazim. Osmanlispori ka paguar një shifër të konsiderueshme për kartonin tim dhe pret të përfitojë në të ardhmen”.

DËMTIMI – “Kisha një dëmtim në kavilje, prandaj nuk kam luajtur këto dy javë, por tashmë jam kthyer plotësisht ne stërvitje. Fatkeqësisht, futbolli ka dhe anën tjetër te medaljes dhe kjo ndodhi me Roshin dhe Sadikun. U kam uruar shërim të shpejtë dy shokëve të mi dhe me padurim pres të luaj përsëri me ta. Grezda besoj se dëmtimin e ka kaluar dhe ka kryer një transferim super, kështu që i uroj suksese e mbarësi ne sezonin e ri”.

QYTETI DHE TIFOZËT – “Tifozët e Goztepes janë në top 5 tifozeritë më të flakta në Turqi, duke futur këtu edhe tifozët e Beshiktashit, Fenerbahçes, Gallatasarait dhe Trabzonsporit. Izmiri është një qytet bregdetar dhe është një mrekulli për të jetuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"