“Champions-i i vështirë, të jemi me këmbë në tokë”, Aguero: U shokova kur u largua Mesi, dua trofe te Barcelona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 10:01

“Champions-i i vështirë, të jemi me këmbë në tokë”, Aguero: U shokova kur u largua Mesi, dua trofe te Barcelona

Serxho Aguero po pret me padurim të zbresë në fushën e lojës me Barcelonën. Rikuperimi i tij po shkon mirë dhe tani kërkon që të ndihmojë skuadrën për të fituar trofe. Ai tregon momentin e largimit të Mesit, por edhe bisedat me të.

aguero

RIKUPERIMI – “Jam duke ecur mjaft mirë. Sigurisht që javën e ardhshme do të zbres edhe në fushën e lojës. Nuk ka një datë fikse kur do të rikthehem, por realiteti është që po rikuperohem mirë. Tani nuk ndiej dhimbje, por duhet të bëj kujdes kur nis stërvitjen dhe kur luaj. Mund të më tradhtojë sërish. Më mirë t’i mbush javët që duhen për të pritur. Rezonanca e fundit ka dalë mjaft mirë”.

LARGIMI – “Nuk e di nga doli ky lajm. Kur firmosa unë, Leo ende nuk kishte firmosur. U krijua një lajm kot sikur kisha klauzolë, por asgjë nuk është e vërtetë. Thjesht dëmtimi më prishi momentin që po kaloja”.

MESI – “Nuk e pyeta fare sepse nuk doja ta shqetësoja. Ai erdhi në Kupën e Amerikës dhe më tha se gjërat do të rregulloheshin dhe unë mendova se do të luante te Barça, por nuk doja ta pyesja përditë. U shokova kur u largua”.

I PENDUAR – “Sigurisht që jo. Do të firmosja sërish me Barcelonën. Cili lojtar nuk do të luajë me këtë skuadër? Shumë prej tyre janë gati të heqin dorë nga milionat”.

BISEDAT – “Kam folur me Mesin. Ideja e tij sot për sot është që të rikthehet të jetojë në Barcelonë. Unë nuk dua ta shqetësoj sepse jam nga ata njerëz që dua të shijoj momentin. Edhe ai duhet ta shijojë këtë gjë. Shpresoj që t’i shkojë gjithçka mirë, përveçse nëse luan ndaj nesh. Do të ishte bukur të përballeshim, por nëse Leo vendos këmbën në gaz, nuk mund të ndalet”.

DITA E MERKATOS – “Është e kuptueshme për atë që po përjeton Barcelona. Sigurisht që ne nuk e prisnim. U largua Grizman, por janë gjëra normale që ndodhin”.

HUMBJE POTENCIALI – “Është momenti kur të gjithë duhet të marrin vendimet. Unë doja t’i bëja gjërat ashtu siç duhet. Na mungon një sulmues që shënon 30 gola në sezon, por duhet t’i shënojmë të gjithë bashkë. Unë, për shembull, Serxhi Robertos i them goleador”.

GOLA – “Nuk premtoj dhe nuk numëroj golat. Dua thjesht që në fundin e sezonit të fitoj titull. Kjo është ajo që më intereson”.

TITUJT – “Më mungojnë La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës”.

CHAMPIONS – “Nëse Barcelona do të jetë Barcelona, atëherë duhet të luftojë për të gjithë titujt. Nuk jemi favoritë në Champions, por rivalët kanë respekt për ne. Gjithmonë duhet të vuash ndaj Barcelonës, por ne mund të shkojmë larg. Njerëzit duhet të bëjnë kujdes kur thonë që mund të fitojmë Champions-in”.

TITULLAR – “Këtu askush nuk e ka vendin të sigurt. Kur të luaj dua të ndihmoj skuadrën dhe të bëj më të mirën. Sigurisht që do ta nis nga stoli si fillim, por do të jap gjithçka”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"