Çfarë luksi/ Kalendar i ngjeshur, por Reali ka dy superskuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 19:46

Çfarë luksi/ Kalendar i ngjeshur, por Reali ka dy superskuadra

Pak skuadra në botë mund të kenë një organikë kaq të pasur sa Reali i Madridit. Zinedin Zidan ka fatin e madh dhe presionin që është në krye të kësaj skuadre. Me rifillimin e kampionatit spanjoll dhe të Ligës së Kampioneve, kalendari do të jetë shumë i ngjeshur dhe do të luhet çdo 72 orë. Kjo nënkupton se të gjithë lojtarët në ekip mund të jenë të rëndësishëm dhe të vendosin fatet e sezonit të Realit.

Reali

ÇFARË LUKSI – Nga porta deri në sulm, Zidan ka nga dy futbollistë për të gjitha repartet. Kjo ia bën më të lehtë rrotacionin dhe ka mundësinë që t’u japë më shumë pushime lojtarëve të tij. Në portë si titullar është i padiskutueshmi Kurtua, ndërsa portieri Areola do të qëndrojë gati në çdo moment për të pritur shansin e tij. I vetmi rol pa zëvendësues natyral është mbrojtja e krahut të djathtë, ku Karvahal është titullari dhe Lukas Vaskez mund të luajë në vendin e tij. Dyshja e qendrës së mbrojtjes Ramos-Varan ka dyshen zëvendësuese Militao-Naço.

Real Madrid

Në krahun e majtë të mbrojtjes, Mendi dhe Marselo do të rivalizojnë njëritjetrin. Në mesfushë, logjikisht treshja do të jetë Kasemiro-ModriçKros, por nuk duhet harruar fakti që Zidan vlerëson maksimalisht Iskon dhe Fede Valverden. Do të ketë shumë ndeshje ku këta të fundit do të jenë titullarë. Në sulm ka mungesa kryesore si Joviç dhe Mariano, por ky i fundit pritet të rikuperohet brenda këtij sezoni.

Rikthimet e Hazardit dhe Asensios i japin mundësi trajnerit të bëjë ndryshime, pa harruar faktin që Bejl po pret shansin e tij, ashtu si Vinicius, Rodrigo, Brahim Diaz apo Hames Rodrigez. Zidan ka mundësi që me këtë grup lojtarësh të marrë rezultate fantastike, por edhe presioni mbi të është i madh. Ai duhet të përmbysë Barcelonën në kampionat, e cila udhëheq La Ligën dhe Sitin në Champios, i cili fitoi ndeshjen e parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"