Çështja Muzaka/ Çudia e Tiranës, nuk e kanë marrë mundimin as të futen në bisedime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2018 | 12:26

Çështja Muzaka/ Çudia e Tiranës, nuk e kanë marrë mundimin as të futen në bisedime

Gjergj Muzaka i ka vendosur “lakun në fyt” Tiranës. Gjyqi i fituar prej tij në DHZK gati një vit e gjysmë përpara (konkretisht më 23 janar 2017) nuk është ekzekutuar ende. Shuma në fakt nuk është e vogël, por 107 milionë lekë të vjetër. Megjithatë, çudia më e madhe qëndron te bardheblutë.

muzaka

Dhe kjo nuk duket vetëm te fakti që të gjithë heshtin përballë dënimit (dje nuk foli as presidenti Halili dhe as klubi nuk doli me ndonjë reagim), por te mungesa e vullnetit për të gjetur një akord. Kanë kaluar mbi 30 ditë, por drejtuesit kurrë nuk tentuan që të uleshin me lojtarin për të arritur marrëveshje, qoftë edhe për pagesë me këste. Bisedimet janë në nivelin “0” dhe rreziku shtohet, kur dihet që as mesfushori nuk ka në plan që të tërhiqet. Ai nuk është gati as për akord dhe si zgjidhje të vetme sheh vetëm që paratë t’i kalojnë në llogari.

Tirana

Ja rreziku
– Në rast se Tirana nuk paguan Gjergj Muzakën brenda 15 ditëve, atëherë do i hiqen edhe 3 pikë. Neni 63 i Kodit të Disiplinës Sportive qartëson gjithçka, ndërsa në pikën d) thuhet: “Me skadimin e afatit paralajmërues prej 15 ditësh, në rast dështimi në përmbushjen e detyrimeve financiare ose të përmbushjes së vendimit jofinanciar, atëherë klubi përkatës do të dënohet me zbritje të 3 pikëve nga klasifikimi, duke dhënë një afat përfundimtar prej 10 (dhjetë) ditësh nga organi gjykues i FSHF-së për të paguar detyrimet për vendimet financiare dhe për të përmbushur vendimin jofinanciar.

Sakaq, pika “e” është ajo që vendos alarmin, ndërsa parashikon: “Me skadimin e afatit përfundimtar në rast se dështojnë në përmbushjen e detyrimeve financiare ose të përmbushjes së vendimit jofinanciar, atëherë klubi përkatës do të dënohet me zbritje në një kategori më të ulët”.

ADELA MERKO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"