Partizani, menaxheri i Çanit i përvishet Gegës: Trajnerit të madh i themi se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 23:08

Partizani, menaxheri i Çanit i përvishet Gegës: Trajnerit të madh i themi se…

Pas deklaratës së tra jnerit Skënder Gega në përfundim të ndeshjes Skënderbeu-Partizani 1-0, në lidhje me Edgar Çanin, ku theksonte se sulmuesi është jashtë çdo parametri fizik, ka reaguar për “Panorama Sport” menaxheri i futbollistit, Mario Cenolli. Ky i fundit, me nota ironie ka mbështetur deklaratën e kreut të pankinës së kuqe.

cenolli cani

Madje, nëpërmjet kësaj ironie të përdorur nga përfaqësuesi i Çanit, jepet edhe një mesazh për atë që Partizani tregoi në ndeshjen e parë në Korçë, ku nuk mungon edhe loja e fjalëve, kryesisht lakimi i shpeshtë i “parametrit”. Pa dyshim, superlativat e përdorura nga menaxheri Cenolli në adresë të trajnerit Gega kanë kuptim thumbues, ndonëse transmetohen pa thonjëza. “Ne jemi plotësisht dakord me atë që thotë një profesor i madh dhe me eksperiencë ndërkombëtare si puna e Gegës. E ka lënë që të marrë disa mësime me Partizanin B që të jetë gati për fillimin e kampionatit të Kategorisë së Dytë.

edgar cani

Dhe duke bërë mirë aty, shpresojmë që profesori t’i japë një shans edhe tek ekipi i parë i Partizanit. Nuk plotëson parametrat? Në qoftë se Çani nuk plotëson asnjë parametër, atëherë ai do të punojë akoma më fort që t’i kapë të gjitha parametrat dhe të jetë gati për ekipin e parë të Partizanit.

Gjithsesi, unë i uroj suksese profesorit dhe komplimentet e mia për ndeshjen me Skënderbeun. Ndonëse u mundën, pashë një Partizan shumë të fortë si nga ana fizike, por edhe nga ana taktike. Dukej që ishte një Partizan që i kishte të gjitha parametrat. I premtoj profesorit se Çani do të punojë akoma më fort”, u shpreh menaxheri i Edgar Çanit për “Panorama Sport”.

ÇFARË THA GEGA

“Me Çanin nuk kam një kontratë. Në qoftë se do ta shikoni Çanin, shkoni tek ekipi i dytë. Ai është jashtë parametrave fizikë. Në qoftë se ai vjen fizikisht mirë, ai e ka derën e hapur. Unë do marr atë që është në maksimum dhe atë që do japë maksimumin. Çanin e pamë një vit dhe e dimë çfarë ka bërë”, kështu u shpreh mes të tjerave trajneri Skënder Gega pas humbjes në Korçë

ILIR CARA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"