Çela tregon problemet e Flamurtarit: Mungon agresiviteti dhe nuk i përfundojmë aksionet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2023 | 12:41

Çela tregon problemet e Flamurtarit: Mungon agresiviteti dhe nuk i përfundojmë aksionet

Në Vlorë prisnin f toren e tretë rad hazi, por nuk shkoi kështu. Flamurtari u ndal nga Apolonia dhe ai barazim ka “djegur” jo pak. Objektivat janë të mëdhenj për kuqezinjtë dhe një pikë i ka lënë në vendnumëro.

CELA FLAMURTARI

I pari i pezmatuar nga ky rezultat është trajneri Emiljano Çela. Kreu i pankinës vlonjate i bën një “skaner” total ekipit të tij dhe sidomos defekteve teknike që u vunë re edhe në ndeshjen e fundit. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, memalioti evidenton se skuadra e tij ka probleme me pasimin e fundit. “Në ndeshjen me Apoloninë duhet të shfrytëzoheshin më mirë rastet, që për hir të së vërtetës i kishim të shumta. E kam fjalën për daljet në linjë, në gjerësi apo qoftë edhe në thellësi. Mendoj se patëm probleme me topin e fundit nga gjerësia në kros, apo edhe kur hynim te zona e vogël me përfundimin e aksionit. Patëm probleme gjithashtu qoftë me goditjen në portë, por edhe me goditjen me pasat. Në pjesën e parë patëm disa raste flagrante dhe mundësi shumë të mira për të shënuar. Po ashtu, edhe në pjesën e dytë kishim disa raste në superioritet numerik në zonë të rrezikshme 3 kundër 2 apo edhe 2 kundër 1, që nuk i përfunduam me goditje në portë. Në këtë ndeshje u treguam të pasaktë në zonë të rrezikshme”, u shpreh fillimisht 38- vjeçari i stolit kuqezi.

AGRESIVITETI Pret një skuadër më agresive në vazhdim, pasi kjo është e vetmja formë që të shkojnë drejt fitores: “Duhet të ishim më agresivë. Kishim mundësinë në minutat e fundit të pjesës së dytë për të shënuar, por nuk e bëmë dot. Kërkoj një skuadër sa më agresive. Nëse nuk shfrytëzon rastet, futbolli kështu është”.

PRITSHMËRITË Megjithëse nuk erdhi goli, tekniku nuk e humb besimin që ka te kjo skuadër. Vlerëson faktin që Flamurtari krijon volum loje dhe i përgjigjet filozofisë së tij. Nëse ndreqen problematikat e evidentuara, atëherë do të jenë “top”. “Kjo skuadër më përgjigjet dhe natyrisht që i ka të gjitha mundësitë për të bërë më shumë dhe më mirë. E komandon ritmin e lojës dhe nuk çekuilibrohet. Sikundër e patë edhe në ndeshjen e fundit, gjithë kohës e zotëruam ne mbajtjen e topit. Nuk kam pse ta fsheh, që nuk jam i kënaqur nga rezultati i kësaj ndeshje, pasi na duhej fitorja dhe ne luajmë për tri pikët. Jam i kënaqur nga volumi i lojës që skuadra zhvilloi. Siç e keni parë edhe vetë, ne zhvillojmë lojë dhe raste kemi, ndaj duhet që të bëjmë kujdes me finalizimin. Duke nisur nga nesër (sot) do të mendojmë me kujdes që të përgatisim ndeshjen me Besën që e luajmë në transfertë”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"