Çelsi nis mbrojtjen e titullit, Tuhel: Këtë sezon nuk jemi favoritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 9:33

Çelsi nis mbrojtjen e titullit, Tuhel: Këtë sezon nuk jemi favoritë

Çelsi nis mbrojtjen e titullit të kampiones së Europës me ndeshjen kundër Zenitit të Shën Pjetërburgut sot në “Stamford Bridge”. Dhe Tomas Tuhel thotë se blutë e Londrës nuk janë favoritë për të triumfuar këtë sezon. “Ka shumë skuadra të cilat mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve këtë sezon.

TUHEL 1

Për t’ia dalë të duhet fat, një formë e mirë dhe një grup i fortë. Ky kompeticion është shumë i hapur. Ne kemi një grup të fortë. Ishte ndoshta disi surprizë që e fituam vitin e shkuar, por nuk ishte i pamerituar. Tani e nisim nga fillimi, me zero pikë dhe zero gola. Të gjithë kanë të njëjtat shanse”, tha trajneri gjerman në konferencën për shtyp.

MUNGESAT – Tuhel konfirmoi se N’Golo Kante do të mungojë edhe në ndeshjen e sotme ashtu si Kristian Pulisiç. Mesfushori francez u dëmtua në kavilje gjatë ndeshjes kundër Liverpulit muajin e shkuar dhe humbi sfidën ndaj Aston Vilës të shtunën. “Kante ka kryer vetëm dy seanca stërvitore dhe kjo ndeshje vjen shumë herët për të. Nuk duam të rrezikojmë tani. Jemi në fillim të sezonit. Vendosëm që t’i japim një tjetër ngarkesë në stërvitje nesër (sot).

Ai do të ketë një ditë pushimi dhe pastaj do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje të enjten, të premten dhe të shtunën dhe do të jetë gati për ndeshjen me Totenhemin. Pulisiç nuk është stërvitur me ne. Ai është ende duke u kuruar dhe po stërvitet individualisht”. Ben Çiluell është një tjetër problem në shtëpinë e bluve. Mbrojtësi i majtë nuk ka luajtur për Çelsin që prej finales së majit kundër Sitit, ndërsa në Europian qëndroi në stol për kombëtaren angleze:

“Po, mendoj se mungesa e aktivizimit në Europian ka qenë e vështirë për të dhe është shumë normale. Ai vinte pas një finaleje Champions-i ku luajti 90 minuta dhe fitoi. Luajti shumë ndeshje në nivel të lartë. Kur u rikthye këtu e pashë pak të lodhur psikologjikisht. Problemi tjetër është edhe forma e Alonsos. Ai ishte fantastik që prej ditës së parë në stërvitje”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"