Çela: Partizanit i bëjmë ballë, e kemi mbyllur merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2022 | 10:08

Çela: Partizanit i bëjmë ballë, e kemi mbyllur merkaton

Kastrioti do të synojë një tjetër surprizë sot përballë Partizanit, dhe tekniku Emiljano Çela në deklaratën e tij para ndeshjes flet me optimizëm për të tijtë. Sipas teknikut, e rëndësishme është që skuadra të punojë dhe të besojë. Gjithashtu trajneri i krutanëve flet për mungesat, afrimet, por edhe pritshmëritë në vazhdim.

EMILJANO CELA 1

Si e shikoni kundërshtarin tuaj të radhës duke qenë se vjen pas një fitoreje, dhe çfarë prisni nga kjo përballje?

Unë nuk dua të flas për skuadrat e tjera, por dua të fokusohem, të flas dhe të mendoj për ekipin tim. Unë e pashë edhe ndeshjen që ka luajtur Partizani javën që kaloi, dihet që ata janë ekip i fortë, kanë lojtarë cilësorë në organikë, ashtu siç kemi dhe ne lojtarë shumë cilësorë. Ndaj, shpresoj që ta ekzekutojmë mirë këtë ndeshje, t’i bëjmë mirë ato detyrat që kemi punuar dhe pse jo, të marrim më të mirën.

Sa shqetësuese janë mungesat e Selmanit, Karakaçit dhe Prodanit?

Duhet të mësohemi me mungesat, ka javë që do të mungojnë lojtarë që janë të rëndësishëm, në mënyrën si ne luajmë, por do të mundohemi të mësohemi me mungesat gjatë kampionatit. Janë mbi 18 lojtarë që stërviten bashkë çdo ditë dhe unë kam besim te të gjithë, jam i bindur që dhe ato lojtarë që do të luajnë në ato pika kyçe, do të mundohen të bëjnë më të mirën edhe ta ekzekutojnë mirë mënyrën tonë të lojës.

Keni bërë disa afrime në merkato…

Në përgjithësi kanë ardhur lojtarë në pozicionet, ku ne kemi shfaqur probleme gjatë fazës së parë, por kjo periudha ime këtu më ka bërë të kuptoj që unë e kam ekipin, e kam grupin. Lojtarët që kanë ardhur janë të mirë, por të mundohen të punojnë dhe të bëhen pjesë e grupit. Të punojnë dhe të bashkëngjiten dhe do të jenë të vlefshëm për faza të ndryshme loje dhe shumë faza të ndryshme të kampionatit.

A është mbyllur merkatoja apo prisni ende ndonjë lojtar?

Me ardhjen e Zogajt besoj që është mbyllur, por përderisa afati është i hapur deri në fund të muajit, duhet të shohim.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"