Çela: Na pret shumë punë kundër Vllaznisë, ja si ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2022 | 9:51

Çela: Na pret shumë punë kundër Vllaznisë, ja si ia dalim

Kastrioti pret nesër Vllazninë dhe trajneri Emiljano Çela, në daljen para mediave flet për këtë sfidë dhe rëndësinë që ajo ka për krutanët. Tekniku tregon se shkodranët kanë një ekip që luan shumë mirë futboll, dhe kjo do t’ua shtojë punën të tijve. Gjithsesi, trajneri Çela ka besim te grupi dhe ruajtja e ecurisë pozitive që kanë arritur në dy javët e para të 2022-shit.

EMILJANO CELA 1

“Shpresojmë të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Hyzmetin ia kemi bërë, kemi punuar fort. Kjo javë ka qenë më e gjatë për ne. Jemi munduar t’i shpërndajmë ngarkesat në mënyrën e duhur.

Shpresoj të vazhdojmë me rezultate të mira dhe të rritim nivelin e lojës gjatë gjithë kohës. Jam i bindur se nëse veprojmë mirë në këtë ndeshje, nëse kemi disiplinë dhe rrimë në ekuilibër, mendoj se patjetër do të marrim një rezultat të mirë.

E kam parë Vllazninë dhe sinqerisht mendoj se është një nga ekipet që luan më mirë futboll në vendin tonë. Është një ekip që e ka automatizuar mjaft mirë mënyrën e lojës, është një ekip që luan poshtë, del mirë në sulm.

Do të kemi shumë punë për të bërë, është ndeshje e vështirë për ne”, u shpreh fillimisht trajneri Çela. Në lidhje me formacionin dhe gjendjen e skuadrës, Emiljano Çela u shpreh:

“Me përjashtim të Hasanit, që nuk e dimë se si do të shkojë deri ditën e ndeshjes, të gjithë lojtarët e tjerë gëzojnë formë të mirë. Falë Zotit gjatë këtyre ditëve janë bërë 15-16 lojtarë që unë i trajtoj të gjithë njëlloj dhe i shikoj si lojtarë formacioni”.

Për shkak të dëmtimit, Adolf Selmani është mungesa e sigurt në këtë takim, por së fundmi edhe Edon Hasani ka patur shqetësime dhe është në dyshim për Vllazninë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"